Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të kërkojë që forcat ruse të mbahen përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.
Zelensky ofroi detaje grafike të ngjarjeve që ndodhën në qytetin Buça, ku ai tha se familje të tëra janë vrarë pa dallim, veçanërisht ata që kanë shërbyer në ndonjë kapacitet për forcat ukrainase.
Njerëzit “u vranë në banesat e tyre, në shtëpitë e tyre… civilët u shtypën me tanke teksa ishin në veturat e tyre, vetëm për qejfin [e trupave ruse]”, tha Zelenksy përmes një video-adresimi para Këshillit më 5 prill.
Ai tha se krimet e kryera në Buça ishin “krimet më të tmerrshme të luftës” që prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Buça ishte “një prej shumë shembujve se çfarë okupuesit kanë bërë në tokën tonë në 41 ditët e fundit”.
Zelensky, i cili iu drejtua OKB-së vetëm një ditë pasi vizitoi Buçan, tha se kudo që trupat ruse janë dislokuar, ata kanë lënë pas gërmadha dhe varre masive.
Ai shtoi se “qindra-mijëra” ukrainas po ashtu janë deportuar për në Rusi, duke thënë se atyre “iu duhet pasuria jonë, njerëzit tanë”. Presidenti ukrainas akuzoi rusët se po vidhnin gjithçka, duke fituar nga ushqimi e deri tek ari që u përkiste ukrainasve.
Zelensky i bëri thirrje OKB-së jo vetëm të veprojë menjëherë duke shtuar sanksionet ndaj Rusisë, por po ashtu që të dëbojë Rusinë nga Këshilli, duke e akuzuar Moskën se po e shndërron fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit si “të drejt për të vdekur”.
Ai tha se OKB-ja duhet ta pyes veten nëse i ka kaluar koha ligjit ndërkombëtar, duke bërë thirrje për reforma në Kartën e OKB-së dhe për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krime të luftës, siç ishte krijuar për krimet e nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai po ashtu tha Kievi mund të jetë vendi ku do të mbahej një konferencë për riorganizimin e Kombeve të Bashkuara.
“OKB-ja thjesht mund të mbyllet. Zonja dhe zotërinj, a jeni gati që ta mbyllni OKB-në? Dhe koha e ligjit ndërkombëtar ka ikur?”, pyeti ai. “Nëse përgjigja e juaj është jo, atëherë veproni menjëherë”, shtoi ai.