Ukraina kërkon që sanksionet ndaj Rusisë të jenë aq shkatërrimtare ekonomikisht saqë ta detyrojnë Moskën t’i japë fund luftës, si edhe akuzoi disa vende se vazhdojnë t’u japin përparësi përfitimeve mbi ndëshkimin për vrasjen e civilëve, të cilat Perëndimi i dënon si krime lufte.
Bota demokratike duhet të refuzojë naftën ruse dhe të bllokojë plotësisht bankat ruse nga sistemi financiar ndërkombëtar, tha presidenti Volodymyr Zelenskiy në fjalimin e tij të përditshëm me video në orët e para të së enjtes.
Uashingtoni njoftoi të mërkurën sanksione ndaj dy vajzave të rritura të Presidentit Vladimir Putin, lidhur me ato që Shtetet e Bashkuara i cilësuan si krime lufte në Ukrainë.
Duke folur mbi sanksionet e reja Presidenti Biden tha se Rusia tashmë ka dështuar me luftën e saj duke përmendur tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga kryeqyteti ukrainas Kiev. Zoti Biden paralajmëroi se megjithate lufta nuk ka përfunduar ende.
“Kjo luftë mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me Ukrainën dhe ukrainasit në luftën e tyre për liri”, tha Presidenti Biden. “Ne do të vazhdojmë të ndrydhim aftësinë e Rusisë për t’u rritur gjatë vitete në vijim”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë gjithashtu që Rusia të përjashtohet nga forumi i ekonomive të mëdha të Grupit 20 dhe do të bojkotojnë një numër takimesh të G20 në Indonezi nëse shkojnë për të marrë pjesë zyrtarët rusë.
Por shefi i stafit i presidencës së Ukrainës Andriy Yermak tha të mërkurën se aleatët e saj duhet të shkojnë më tej.
“Sanksionet kundër Rusisë duhet të jenë shkatërruese në atë masë sa t’i japin fund kësaj lufte të tmerrshme,” tha ai.
Presidenti Zelenskiy ishte më herët kritik ndaj disave në Perëndim.
“E vetmja gjë që na mungon është qasja parimore e disa udhëheqësve… të cilët ende mendojnë se lufta dhe krimet e luftës nuk janë aq të tmerrshme sa humbjet financiare,” u tha ai ligjvënësve irlandezë.
Diplomatët e Bashkimit Evropian nuk arritën të miratonin sanksione të reja të mërkurën, pasi duheshin trajtuar çështje teknike, përfshirë nëse një bllokim i qymyrit do të ndikonte në kontratat ekzistuese, thanë burimet.
Anëtarja e BE-së, Hungaria tha se ishte e gatshme të përmbushte një kërkesë ruse për të paguar rubla për gazin e saj, duke u shkëputur nga pjesa tjetër të bllokut dhe nxjerrë në pah varësinë e kontinentit nga importet që e kanë frenuar atë nga një përgjigje më e ashpër ndaj Kremlinit./VOA