Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se do të duhen qindra miliarda dollarë për të rindërtuar vendin e tij pas përfundimit të konfliktit me Rusinë.
Duke folur në një takim të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në Uashington përmes një lidhjeje me video, Zelensky tha se vendit të tij i duhen rreth shtatë miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike.
”Për më tepër, Ukrainës do t’i nevojiten qindra miliarda dollarë për të rindërtuar të gjitha këto”, tha Zelensky.
Zelensky tha se ushtria ruse po përpiqej të shkatërronte të gjitha objektet në Ukrainë që mund të shërbejnë si bazë ekonomike për jetesën, përfshirë stacionet hekurudhore, depot e ushqimit dhe rafineritë e naftës.
Udhëheqësi ukrainas tha se forcat ruse kishin shkatërruar tashmë infrastrukturën, shkollat, universitetet, spitalet dhe shtëpitë e panumërta në Ukrainë.
Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva vlerësoi qeverinë në Kiev për arritjen e sigurimit të stabilitetit relativ makroekonomik nëpërmjet veprimeve të kujdesshme pavarësisht konfliktit.
”Sipas FMN-së, Ukraina do të ketë nevojë për një ndihmë prej rreth pesë miliardë dollarë në muaj gjatë dy deri në tre muajve të ardhshëm për të siguruar funksionimin e qeverisë dhe institucioneve të rëndësishme shtetërore”, tha ajo.