Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i kërkoi sot qeverisë belge të ndihmojë me armë, sanksione dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “ndoshta së shpejti e ardhmja do t’ju shpaguajë”.
Zelensky tha se paqja në Ukrainë vlen “më shumë se çdo traktat me Rusinë, çdo anije ruse në portet evropiane dhe çdo fuçi naftë ruse”.
“Duhet të dimë se Ukraina do të jetë në BE, sepse nëse jemi ne, ata do të humbasin. Por nëse humbim, nëse humbim Mariupolin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, nuk do të ketë më një BE të fortë, pasi tirania do të vijë dhe do t’ju heqë atë që keni dhe për të cilën jeni krenarë. Ky nuk është një kërcënim, është realitet,” tha ai në një video-lidhje me parlamentin belg.
Zelensky foli edhe për situatën në Mariupol, qytet nën bombardimet e forta nga forcat ruse.
“Më shumë se 90% e të gjitha ndërtesave janë shkatërruar plotësisht nga artileria, sulmet me raketa dhe tanket e ushtrisë ruse. Mijëra janë fshehur në bodrumet e ndërtesave shumëkatëshe ose çfarëdo që ka mbetur prej tyre. Nuk ka asgjë atje. Pa ujë, pa ushqim, pa ilaçe, pa jetë, por Mariupol nuk po dorëzohet,” tha ai.
“Çdo ditë ne përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi që korridoret humanitare nga Mariupol të funksionojnë për të shpëtuar civilët e mbetur në qytet. Sot, ky është vendi më i keq në Evropë. Atje është ferr dhe katastrofë”, shtoi ai, transmeton CNN.