Presidenti Volodomyr Zelensky ka reaguar pasi jo të gjitha vendet pjesëmarrëse të Samitit të Paqes nënshkruan sot deklaratën finale me të cilën njihet integriteti territorial i Ukrainës.
Ai ka thënë se duhet respektuar mendimi i të gjithëve, duke shtuar se ”ata do të vijnë”.
“Disa vende kanë vizionin e tyre të luftës dhe ekziston edhe trashëgimia historike e Bashkimit Sovjetik në marrëdhëniet e tij me disa vende dhe kjo duhet të merret parasysh”, ka thënë ai, raporton ANSA.
Tetëdhjetë vende botërore, në mesin e tyre edhe Kosova, kanë bërë thirrje që integriteti territorial i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.
Rusia e Kina nuk morën pjesë në Samitin e Paqes në Zvicër. Arabia Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia, Meksika dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e vendeve që nuk e nënshkruan dokumentin final, sipas qeverisë zvicerane.
Po ashtu edhe Brazili, i cili mori pjesë si vëzhgues, nuk e nënshkroi deklaratën, ndërsa Turqia, një vend që ka kërkuar të jetë ndërmjetës mes Rusisë dhe Ukrainës, e ka nënshkruar deklaratën.
Burimi: botasot.info