Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri ka reaguar ndaj zëvendësministrit të Kosovës, Hysen Durmishi i cili reagoi ndaj informacionit të fundit ku u tha se më 4 tetor do të nënshkruhet marrëveshje për projektim të rrugës Tetovë – Prizren mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, transmeton TV21.
Durmishi tha se nuk ka nevojë për marrëveshje, pasi tashmë ekziston një e tillë, por Zekolli-Shaqiri thotë se ajo nuk zbatohet dhe se marrëveshja e re që do të nënshkruhet parasheh edhe formimin e një grupi punues prej 10 anëtarësh që do të jenë përgjegjës për projektim dhe mbikëqyrje të marrëveshjes që do të nënshkruhet.
“Gjithsesi, ne nuk kemi mohuar as nuk mohojmë ekzistencën e një memorandumi bashkëpunimi mes Ministrisë së Transportit të RMV-së dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës sa i përket rrugës Tetovë-Prizren.
Megjithatë, që nga janari i vitit 2024, asnjë progres konkret nuk është bërë në krijimin e këtij projekti të rrugës aq jetike për qytetarët e dy vendeve tona. Në koordinim me Ministrin Liburn Aliu, kemi vendosur që së shpejti të nënshkruajmë një marrëveshje projektimi dhe të krijojmë një grup punues, në përputhje me memorandumin e mëparshëm të nënshkruar. Ky grup punues do të përbëhet nga pesë anëtarë nga dy shtetet, duke bërë një total prej dhjetë anëtarësh, të cilët do të kenë për detyrë përzgjedhjen e projektuesit të projektit dhe më pas mbikqyrjen e implementimit të tij.
Detyra jonë, si bartës të këtij institucioni, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Rrugët Shtetërore të Maqedonisë së Veriut dhe kolegët tanë nga Kosova, është të sigurojmë që projektet e rëndësishme për qytetarët e dy shteteve të realizohen sa më shpejt. Për fund, dua të siguroj se si Qeveri dhe si Ministri e Transportit, zotohemi që asnjë projekt që është në interesin e shqiptarëve nuk do të lihet në harresë. Po punojmë që fjalët t’i kthejmë në vepra të cilat drejtëpërdrejtë ndikojnë në jetën e qytetarëve”, shkruan mes tjerash Zekolli-Shaqiri.
Burimi: tv21