Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 të Roskovecit, ku daja i saj, Bledar Bakaj, u arrestua nga policia pas një konflikti me babanë e ish-bashkëjetueses së tij.
Përmes një deklarate publike, Çaushi thotë se për ngjarjen është informuar nga mediat dhe distancohet nga çdo akt dhune, pavarësisht personit që e ka ushtruar atë.
Reagimi i deputetes vjen pasi emri i saj u përmend në raportimet mediatike për shkak të lidhjes familjare me 52-vjeçarin e arrestuar.
Sipas Policisë, Bakaj dyshohet se mbrëmjen e 14 shtatorit shkoi në banesën e Enver Grëmbit, 67 vjeç, babait të ish-bashkëjetueses së tij, dhe gjatë konfliktit e plagosi atë me një mjet prerës në këmbë. I plagosuri u dërgua për ndihmë mjekësore dhe rezultoi jashtë rrezikut për jetën.
Policia bëri të ditur gjithashtu se Bakaj dyshohet se kishte shkelur një urdhër mbrojtjeje të vendosur nga gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së tij. Ai u arrestua pak pas ngjarjes, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë.
Çaushi tregon se Bledar Bakajn dhe Merita Gremajn i kishte takuar rastësisht në fillim të qershorit, pasi kishte zhvilluar një takim në atë zonë.
Sipas deputetes, kur kishte kaluar pranë banesës kishte parë rreth 10-15 të afërm dhe fqinjë në oborr. Aty, Gremaj i ishte prezantuar si bashkëjetuesja e Bakajt, ndërsa Çaushi thotë se i kishte uruar për marrëdhënien e tyre.
“Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: ‘E keni ndarë mendjen? Do martoheni?’”, shprehet deputetja.
Deklarata e plotë
Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.
Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.
Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cili Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të atit.
Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”
Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”
“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.
Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam levizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.
Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.
Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.
Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.
Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.
Burimi: botasot.info


