Pas dy vjetësh autoritet greke kanë mundur të zbardhin vrasjen e Ari Papës. Mediat helene raportojnë se policia greke ka vënë në pranga një taksist shqiptar i skeduar me 4 emra dhe 3 mbiemra, si dhe një shtetas grek që punonte në lokal.
Në kërkim është shpallur autori kryesor i vrasjes, një vrasës me pagesë i mbërritur nga Tirana me qëllim ekzekutimin e Papës dhe mendohet se ndodhet sërish në Shqipëri. Shkak i vrasjes janë përplasjet për trafikun e drogës dhe mendimi i taksistit shqiptar se Ari Papa ishte spiun i policisë greke.
Taksisti shqiptar rezulton me precedentë për trafik klandestinesh dhe është i skeduar, ndërkohë që edhe shtetasi grek rezulton me precedentë penale.
Ata akuzohen për organizimin e vrasjen dhe transportin e vrasësit me pagese. Në lidhje me vrasësin e dyshuar po bashkëpunohet me autoritetet ligjzbatuese shqiptare.
Ari Papa u vra në 30 maj 2021 në një lokal në Sepolia të Athinës.
Papa i ka shpëtuar 3 atentateve të mëparshme ndërkohë që rezulton i përfshirë në një grup kriminal në Greqi për trafik droge dhe vrasje.
Ari Papa konsiderohet një nga personazhet e rëndësishme të mafies shqiptare në Greqi.
Profili:
Ari Kosta Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në regjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”, edhe pse një ish-oficer i policisë së Sarandës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, shprehet se: “Arin e vogël e njoh vetëm si emër, por të dhënat e mia e lidhin atë ndoshta me krime të ndodhura në Sarandë në vitet 2005-2006 ose me protagonistë banorë të Sarandës në Athinë në vitet e mëpasshme”.
Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eliminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qëllimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjeçari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.