Zbulohet pllaka përkujtimore e Shasivar Makollit, Ali Ahmeti: Familja Makolli ka qenë vatër e Lëvizjes Popullore

Sot, për nder të atdhetarit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Shasivar Makolli, në shtëpinë e tij, në Kodrën e Trimave në Prishtinë u zbulua pllaka përkujtimore. Me këtë rast, u vlerësua kontributi i tij dhe i familjes së tij për çështjen kombëtare. Shasivar Makolli u cilësua si figurë emblematike.

Veprimtari dhe një nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Ali Ahmeti u shpreh se sot kujtohet bashkëveprimtari e bashkëluftëtari i kohërave më të vështira që ka përjetuar kombi shqiptar. Në ceremoninë e organizuar nga Shoqata “Lëvizja”, Ahmeti tha se familja Makolli ka qenë vatër e Lëvizjes Popullore.

“Sot përkujtojmë Shasivar Makollin, i cili asnjëherë nuk iu shmang as rrezikut, as veprimit, për të realizuar qëllimet, idealet e kombit dhe jo vetëm, por e tërë familja Makolli, duke përfshirë këtu dhe babain e tij, bacin Avdyl, i cili në moshë të shtyer ishte i paepur, po s’ka se si dera e fisme të mos ketë atë frymëzim..i pamposhtur në të gjithë betejat. Unë dua ta kujtojë tërë këtë familje këtu, që ka qenë vatër e Lëvizjes Popullore, e lëvizjes së rezistencës, pa përjashtim. ”, tha Ahmeti.

Ndërsa, djali i veprimtarit, Adem Demaçi, Shqiptari tha se familja Makolli ka qenë bujare. “Unë kam ardhur me babain rrallë këtu, por e kam ndjerë atë energji të zemërgjerësisë dhe bujarisë të cilën e kanë ofruar familja “, tha ai.

Ndërkaq, publicisti Bardhyl Mahmuti, i cili ka qenë edhe veprimtar së bashku me Shasivarin për më shumë se 35 vjet, u shpreh se figura e Shasivar Makollit është një figurë emblematike, pasi së bashku me familjen kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.

“Familja Makolli është familja e parë pas luftës së dytë botërore që Azemi nxori Hakun jo vetëm të gjyshit të vet por hakun shqiptar ndaj okupatorit që kishte pushtuar Kosovës. Lavdi familjes Makolli dhe jo rastësisht nga kjo familje, Përveç Azemit del Shaniu, luftëtarë të shquar të çështjes kombëtare…..këtu ka qenë një çerdhe ku çdo atdhetarë ka pas dyert e hapura dhe askush nuk ka mundur të ndihet i rrezikuar edhe pse kanë qenë policia, sepse këtu kanë qenë Makollët që të mbështetjen dhe të kanë përcjell“, u shpreh ai.

Kurse, bashkëluftëtari i Muharrem Rama kujtoi një rast të vitit 1999, ku ai së bashku me disa ushtarë të tjerë dhe Shasivar Makollin janë gjendur në një pozicion të vështirë, ku Shasivari u kishte thënë të vazhdonin ata sepse ai do t’i mbronte.

“Ishte vërtet trim, ishte tejet i vendosur dhe atij dukej se fare nuk i bënin përshtypje granatimet serbe sepse ai luftës iu kishte bashkuar me të vetmin qëllim, ja vdekje, ja liri. Lirinë e përjetuam së bashku por vdekja e mori atëherë kur ne nuk e prisnim“, tha ai.

Përndryshe, para ceremonisë, të pranishmit kanë vendosur edhe kurora lulesh te varri i veprimtarit Shasivar Makolli. Veprimtari i çështjes kombëtare, Shasivar Makolli ka vdekur në vitin 2016.

Story i mëparshëm

Osmani: Jam optimist se do të sigurojmë shumicën për ndryshimet Kushtetuese

Story i radhës

Ramadani largohet nga Ferizaj, shkon në Ballkan

Të fundit nga