Zbërthehen dyshimet: A është përpjekja për të ndaluar hapjen e Urës së Ibrit pjesë e një projekti për ndarjen e Kosovës?

October 20, 2024
min lexim

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike, ndërsa tensionet me Serbinë mbeten një nga pengesat kryesore për realizimin e këtij objektivi.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të thelluar dialogun dhe për të konsoliduar marrëdhëniet ndërkombëtare, Kosova ende përballet me vështirësi në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, një hap i konsideruar si garant për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, në një bisedë me gazetën “Bota sot”, ka shprehur shqetësimin e tij për vonesat në këtë proces dhe ka analizuar faktorët që e kufizojnë këtë avancim.

Image

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, Kosova i plotëson të gjitha kriteret për t’u bërë anëtare e Aleancës, por pengesat politike dhe gjeopolitike, përfshirë dialogun e pandërprerë me Serbinë, vazhdojnë të mbajnë në bllok këtë proces jetik për vendin.

“Gjithkush e di se pranimi i Kosovës në Alëancën Atlantike do të shënojë fundin e kërcënimeve serbe ndaj saj. Se kjo do të duhej të ndodhte më parë sesa sot, këtë e kemi theksuar në komente dhe analiza të shumë kohëve më parë. Por ndërsa shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës janë në pritje të sinjaleve pozitive të pranimit të vendit të tyre në NATO, nga selia e saj vijnë sinjale negative. Përmendet dialogu, asosacioni etj, si kushte të avancimit të saj drejt aleancës. Ndërkohë forcat e sigurisë së Kosovë plotësojnë të gjitha kriteret e mundshme për të qenë pjesë e Paktit Atlantik. Atëhere pse ka kundërshti dhe madje kushtëzime për këtë rrjedhë?

Argumenti i parë është se “katër vende anëtare të NATO-s nuk e kanë njohur ende shtetin, pavarësinë dhe integritetin e saj””, shprehet profesori.

Në pamje të parë, sipas profesorit ky është një argument logjik, sidomos nga pikëpamja juridike dhe normalitetit në funksionimin e strukturave dhe vendimmarrjen e NATO-s.

“Por në thelb mund të ishte shfrytëzuar situata gjeopolitike sidomos pas sulmeve ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës, për të bërë presion ndaj këtyre vendeve, përkatësisht Greqisë, Spanjës, Rumanisë dhe Sllovakisë, që këto shtete ta njihnin ose së paku të hiqnin dorë nga vetoja për pranimin e Kosovës në Aleancë. Kjo mundësi ka ekzistuar së paku prej më shumë se dy vitesh dhe ekziston edhe në momentet aktuale. Fakti që Kosova në katër vite pesëfishoi buxhetin ushtarak të saj ishte i mjaftueshëm për të bindur vendet jo-njohëse për votën pro ose së paku asnjanësi në vendimmarrje. Kjo nuk ndodhi. Arsyeja? Dialogu pa fund me Serbinë!

Argumenti i dytë është vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe detyrimi që Kosova ta vazhdojë këtë dialog pa kushte. Logjikisht ky argument do të kishte kuptim nëse situate gjeopolitike do të ishte normale dhe nëse Perëndimi do të shihte ndonjë mundësi që Beogradi ta pranonte shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Por asnjëra prej këtyre kushteve nuk ekziston. Serbia deklarohet çdo ditë se “Kurrë nuk do ta njohë Kosovën as juridikisht, as de facto” dhe se “kurrë nuk heq dorë nga sovraniteti i saj mbi të” Edhe pse ne e dimë se Beogradi heq dorë nga sovraniteti i shtetit serb mbi Kosovën, nëse ajo ndahet midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Në këtë kuptim këmbnguljen për të mos e pranuar e madje mos e avancuar Kosovën drejt pranimit në NATO duhet ta shohim jo thjesht si një pamundësi për këtë, por edhe si pjesë të një projekti presioni për ndarjen e saj. Ndoshta gabohemi për këtë, sepse nuk mungojnë deklarimet e shefave të diplomacisë perendimore për respektimin e pavarësisë dhe shtetësisë e madje të territorit të Kosovës. Por deklarimet me projektet kanë një hendek të padiskutueshëm. Sa është ky hendek midis tyre, kjo varet nga shumë faktorë”, shprehet ai.

Më tej, profesori thotë se hapësira jo e përputhshme midis deklarimeve për respektimin e sovranitetit e tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës dhe projekteve ose së paku ideve për ndarjen e saj varet nga shumë faktorë.

Kryesore sipas tij është, se kjo hapësirë varet nga aftësia e shtetit dhe institucioneve të Kosovës për të shtrirë sovranitetin e tyre të plotë në të gjithë territorin e saj.

Profesor Bytyçi shprehet se përpjekjet dhe arritjet e qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit në këtë drejtim janë të mëdha e të padiskutueshme.

“Por këmbëngulja e përfaqësuesve të NATO-s dhe KFOR-it për të ndaluar përpjekjet për hapjen e plotë të Urës së Ibrit, në fund të fundit bazuar në marrëveshjen midis palëve në Bruksel, është vërtetë shqetësuese. A është përpjekja për të mos lejuar hapjen e Urës pjesë e një projekti ose ideje për ndarjen e Kosovës?! Dyshoj se po. Sepse nuk shoh asnjë potencial për akte destabilizuese, nëse ajo hapet që nesër. Sepse hapjen e urës nuk e dëshiron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërkohë e duan serbët e Kosovës e shqiptarët gjithashtu. Sepse hapja e urës ul në maksimum ndikimin e Beogradit te serbët në veri të Kosovës dhe mundëson integrimin e tyre në institucionet e vendit”, shton ai.

Ai thekson se hapja e Urës së Ibrit nuk është shkak destabilizimi, por përkundrazi është mjet integrimi.

“Nëse serbët dhe shqiptarët do të ishin të lirë të qarkullonin mallrat dhe mjetet e tyre, atëherë rritej bashkëpunimi në biznes e në çdo fushë tjetër. Dhe për këtë ka një përvojë njëshekullore në Kosovë. Kjo do të çonte në mirëkuptimin midis qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë fetare dhe etnike apo dallimeve kulturore.

Mirë presidenti i Serbisë është kundër këtij pajtimi, bashkëpunimi dhe integrimeve të ndërsjella midis shqiptarëve, serbëve dhe pakicave të tjera?! Po KFOR-i dhe përfaqësuesit e NATO-s pse duhet të jenë kundër?! Është një pyetje një milion dollarëshe! Të shohim se si do të jetë përgjigja e kësaj pyetjeje, por kjo varet shumë edhe nga politikat e zgjuara dhe të shkathëta të qeverisë, presidentes dhe institucioneve të Kosovës. Politika e tyre integruese në veri të vendit nuk duhet dobësuar në asnjë moment. Ne çfarëdo forme e me çdo lloj mjeti demokratik”, potencon ai.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pamjet: Makina e turistëve gjermanë rrezikon të bjerë në liqenin e Komanit, shpëtohen nga banorët

Story i radhës

Moti për të hënën: Në orët e mëngjesit mund të ketë mjegull…

Të fundit nga

ShkoLartë