​Zbardhja e fatit të personave të zhdukur “u harrua” pas tensioneve në veri

August 20, 2023
min lexim

U tha që është urgjente, por çështja e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, të rrëmbyer me forcë nga policia e ushtria serbe, nuk po trajtohet si e tillë. Brenda 40 ditësh nga miratimi në Bruksel i Deklaratës për të Zhdukurit, do të duhej të formohej një komision i përbashkët, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas tre muajsh, thotë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti. Sipas tij, Serbia po e zvarritë këtë proces dhe Bashkimi Evropian duhet ta kushtëzojë atë.

Pa vënë dritë mbi fatin e personave të pagjetur nuk ka kuptim të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, thekson Hoti, derisa përmend se po bëhen gati katër muaj prej dakordimit në Bruksel dhe nuk janë ndërmarrë hapa për implementimin e marrëveshjes.

Ai thotë se hapi i dytë pas miratimit të deklaratës ishte formimi i komisionit të përbashkët i cili do të kishte dy anëtarë të Bashkimit Evropian që do të luanin rolin e udhëheqësve, si dhe dy anëtarë nga Kosova, dy nga Serbia, derisa Kryqi i Kuq Ndërkombëtar do të ishte mbështetës.

Në një intervistë, Hoti thotë se BE e ka të gjithë fokusin në ngjarjet që lidhen me veriun e Kosovës.

Hoti: Nuk ka progres në çështjen e të zhdukurve, BE e drejtoi fokusin diku tjetër

“I kemi pasur 40 ditë afat, nuk ka ndodhur një gjë e tillë sepse nuk kam diçka zyrtare, por supozoj që ka ndodhur për shkak të veriut të Kosovës, problemeve në veri të Kosovës, BE e drejtoi fokusin diku tjetër, na kanë kërkuar disa komente për atë komision të përbashkët, ne i kemi dërguar menjëherë, edhe muajin e kaluar kemi qenë në Bruksel për komisionin e përbashkët, ende nuk ka ndodhur, pa u themeluar komisioni i përbashkët ne nuk mund të vazhdojmë punën, muajin e kaluar kam qenë pikërisht për të përfunduar termat e referencës dhe të fillojë punën komisioni i përbashkët, komisioni i përbashkët kryesohet prej BE-së jo prej neve, por ende nuk kemi ndonjë përgjigje zyrtare prej Bashkimit Evropian… Prap po supozoj që Serbia nuk është pajtuar me ndonjë prej pikave që ne i kemi kërkuar, edhe pse janë kryesisht teknike, por duke e njohur lojën dhe politikën e Serbisë, qysh ka bërë në të kaluarën po supozoj që po do të zvarrisë edhe tash këtë proces”, thotë Hoti.

Deklarata për Personat e Zhdukur u nënshkrua më 2 maj të këtij viti nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Aty, palët janë zotuar se do të angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Derisa Serbia nuk bashkëpunon në këtë drejtim, Hoti thotë se më nuk mjafton presioni por e njëjta duhet të kushtëzohet me rrugën e saj të integrimit.

Hoti: Jo presion më, BE duhet të kushtëzojë Serbinë

“BE-ja do të duhej ta kushtëzojë Serbinë dhe jo të bëjë presion më sepse vet Serbia, bashkë me Kosovën, e kanë miratuar një deklaratë, vet Serbia e ka miratuar edhe aneksin e Ohrit të këtij viti, dhe aty thuhet çështja e vetme që është me urgjencë është çështja e personave të zhdukur, asnjë tjetër nuk shkruan që është me urgjencë, vetëm çështja e personave të zhdukur. Dhe nëse ne nuk fillojmë të zbatojmë çështjen e personave të zhdukur nuk e di çfarë kuptimi ka të diskutohet edhe dialogu edhe çdo gjë tjetër… Jo që nuk doli të jetë me urgjencë por filluan u morën me çështje të tjera, që nuk janë në fushën time, çështje politike, e harruan me një formë çështjen e personave të zhdukur, por puna jonë, detyra jonë është në vazhdimësi të bëjmë presion, në vazhdimësi të kërkojmë, dhe aq është edhe fuqia jonë, po mendoj edhe ndaj BE-së edhe ndaj Serbisë”, thotë Hoti.

Ai gjithashtu tregon se muajin e kaluar ishin paraparë dy takime në mes të ekspertëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, por të njëjtat janë anuluar nga pala serbe.

Hoti: Ishin në plan dy takime në mes të ekspertëve, Serbia i anuloi

“Muajin e kaluar kemi pasur të paraparë dy takime me delegacionin e Serbisë, ekspertët jo unë, të dyja i ka anuluar Odalloviqi prej Serbisë, me arsyetimin që ai po do të marrë pjesë, ai po do të përfshihet, ju e dini që Qeveria e Kosovës e ka një vendim- ne nuk takohemi me zotin Odalloviq, kështu me këtë arsyetim ai me një formë po do me bë pazare me veten, të kushtëzojë takimet e ekspertëve sepse ekspertët merren me punë hulumtimin e informacioneve, që edhe ai do me marrë pjesë aty ndryshe nuk pranon as me dhënë informacion as asgjë tjetër. I kemi treguar BE-së, por presim reagimin e BE-së dhe unë po shpresoj që brenda këtij muaji apo muajin tjetër do të themelohet komisioni i përbashkët, kjo nuk është në dorën tonë, është në dorën e BE-së dhe çka do të bëjë komisioni i përbashkët, do të mbikëqyrë zbatimin e deklaratës së personave të zhdukur dhe zbatimi i deklaratës së personave të zhdukur”, thotë ai.

Hoti thotë se bisedimet me Serbinë do të duhej të vareshin nga çështja e personave të zhdukur, veçmas tani që është një deklaratë e miratuar nga të dy palët.

Hoti: Kryeministri nuk ka pse të vazhdojë negociatat me Serbinë nëse nuk zbatohet marrëveshja për të zhdukurit

“Unë si Andin po flas, jo si kryetar i komisionit, besoj që kryeministri nuk ka çka kërkon të vazhdojë negociatat me Serbinë në këtë formë kur ajo nuk pranon në asnjë formë me zbatu as atë që e ka pranu vet që është me urgjencë, që është çështja e personave të pagjetur, që është humane, mendoj që është çështja e parë që ish dashur të merret edhe Kosova, edhe Serbia, edhe BE, edhe çdo kush në botë, sepse është shumë e ndjeshme, zgjidhja e fatit të personave të zhdukur nuk është një çështje që ne po flasim ka ndodhur para 300 viteve e nuk ka pasur teknikë e nuk mund të kryhet, është çështje që ne e dimë që Serbia ka informacionet, ne e dimë kush i ka bërë këto krime”, thotë Hoti.

Pavarësisht refuzimit të Serbisë për të treguar vendndodhjen e varrezave, ekipet në teren kanë vazhduar gërmimet, çdo herë pas marrjes së urdhëresave për lokacione të shënjuara.

Gërmime janë bërë gjatë kësaj jave në terrorin e komunës së Pejës, por të njëjtat janë mbyllur pa gjetje mortore.

Megjithatë, ekipet do të vazhdojnë trajtimin e dokumenteve dhe në rast se shfaqet ndonjë lokacion tjetër në atë pjesë, gërmimet do të vazhdojnë.

Hoti: Informacionet për varreza të reja masive po shkojnë duke u pakësuar

“Informacionet për varreza të reja masive e tjera po shkojnë duke u pakësuar sepse koha po shkon duke u larguar dhe sepse Serbia në asnjë formë nuk po pranon me i dhënë informacionet për personat që i kanë vrarë, i kanë zhdukë apo çfarë kanë bërë, kështu që neve na ka mbetur të hyjmë, të rikthehemi me një formë me ekspertët që i kemi ne të gjitha dokumentet që i ka pasur UNMIK, EULEX, ICTY, në atë kohë t’i rishqyrtojmë edhe njëherë dhe t’i gjejmë gabimet e mundshme që kanë mundur t’i bëjnë ata, sepse institucionet e Kosovës nuk kanë pasur dorë në këto çështje, bile institucionet e Kosovës prej vitit 2018 e kanë çështjen e personave të zhdukur në pronësi të saj, por jemi duke u mundur t’i rikthejmë sepse e kemi parë që ka gabime, natyrisht besoj që pa qëllim por kemi parë gabime edhe në identifikime tradicionale edhe në forma të tjera të gabimeve”, përfundon Hoti.

Gërmimi në Pejë ishte i nënti me radhë, ndër të cilat me gjetje kishte rezultuar gërmimi në Mitrovicë, në varrezat e Dragodanit si dhe një në Matiqan.

Gërmimi i radhës pritet të fillojë deri në fillim të muajit të ardhshëm në komunën e Gjakovë, saktësisht në fshatin Bishtazhin.

Ndërsa janë edhe disa lokacione që ende nuk janë mbyllur, si ai në Podujevë apo në Kamenicë, puna në të cilat pritet të nisë pas përfundimit të gërmimit në komunën e Gjakovës.

Ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur të rrëmbyer me forcë nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Reshjet të forta shiu e breshëri, shkatërrohen ura e rrugë në fshatrat e Gramshit

Story i radhës

Pse nxihemi disa orë pasi kthehemi në shtëpi nga plazhi?

Të fundit nga

ShkoLartë