Një borxh i pa kthyer prej 1 milion lekë të reja ka qenë shkaku i vasjes së 61 vjeçarit Menduh Kurt-Deda, i cili është dhunuar, lidhur e më pas djegur në periferi të Tiranës pesë vite më parë. Policia ka zbardhur krimin e ndodhur në 2017 dhe ka shpallur në kërkim të riun Besmir Karaj. Nëna e tij Marjeta Karaj, drejtuese e një OJF-je me bashkëpunëtorin Gazmir Ngota janë arrestuar me akuzën e vrasjes.
Një vrasje e ndodhur në Tiranë pesë vite më parë është zbardhur nga policia, e cila ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim të dyshuarin e tretë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, tha se autorë të ngjarjes janë shtetasit Gazmir Ngota dhe Marjeta Karaj, të arrestuar, si dhe Besmir Karaj, i shpallur në kërkim.
Motiv i krimit ka qenë konflikti për një borxh prej 1 milion lekë të reja që viktima i detyrohej Marjeta Karajt pasi nuk ia kishte kthyer.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se të 3 këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij”.
Kreu i policisë së kryeqytetit theksoi se trupi i pa jetë ishte gjetur i dekompozuar dhe më pas hetimet, kishin bërë të mundur identifikimin e tij.
“Më pas, shtetasit B. K. dhe G. N., e kanë transportuar shtetasin Menduh Kurt–Deda, në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur atë me lëndë djegëse”.