Aston Villa ka arritur marrëveshje me Galatasarayn për transferimin e Nicolo Zaniolos.
Klubi anglez do ta marrë futbollistin ofanziv italian në formë huazimi për një vit, me opsion blerjen e tij përfundimtare për 30 milionë euro plus bonuset, në rast se klubi nga Birminghami do ta aktivizojë klauzolën.
Futbollisti i Galatasarayt ka arritur marrëveshje me klubin e Premierligës para disa ditësh.
Testet mjekësore të futbollistit janë paraparë të kryhen të mërkurën në Britaninë e Madhe, nëse gjithçka shkon sipas planit.
Zaniolo me këtë rast do t’i japë fund eksperiencës turke pas vetëm gjashtë muajsh, pasi në Stamboll ishte transferuar në janar nga Roma.
Për përfaqësuesin italian flitej se do të rikthehej në Serie A, me klubin e tij të zemrës, Juventus, që mund ta transferonte.
Por, Aston Villa u tregua më e shpejtë dhe më konkrete, për ta bërë të vetin lojtarin kualitativ.