Mesfushori zviceran, Denis Zakaria ka thënë se ai nuk ishte në dijeni për transferimin te Chelsea deri gjashtë orë para mbylljes së afatit kalimtar veror të transferimeve, por e pranon se është i lumtur tani.
Zakaria iu bashkua Juventusit nga Borussia Monchengladbachu për 8.6 milionë euro në janar të këtij viti, por ndërroi ambient gjatë kësaj vere pasi kaloi te Chelsea në formë huazimi për tre milionë euro, me opsionin për ta bërë transferimin permanent për 28 milionë euro plus 5 milionë të tjera në formë shtesash.
Tani, mesfushori zviceran në një intervistë për “Blick” ka treguar se si erdhi deri te largimi i tij nga Juventusi, duke thënë se tani është më i lumtur në Angli.
“Nuk isha i vetëdijshëm që një lëvizje te Chelsea ishte e mundshme deri në gjashtë orët e fundit të afatit kalimtar të transferimeve”, tha Zakaria.
“Juventusi po luante shumë dobët, ata duhet gjithmonë të jenë në krye të tabelë dhe të fitojnë të gjitha ndeshjet me rezultat 3:0. Unë mendoj se do të jem më i lumtur në Angli se sa në Torino”, shtoi më tej mesfushori zviceran.