Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i zbatojë reformat e nevojshme dhe të përmbushë kushtet nëse dëshiron të fillojë negociatat për inkuadrim në Bashkimin Evropian, tha nënkryetarja e GERB-it, Ekaterina Zaharieva, e cila është nënkryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin bullgar dhe ish ministre e Punëve të Jashtme (2017-2021).
Shkak për komentin e saj, siç transmeton BGNES, është votimi i ardhshëm në Kuvendin e Maqedonisë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është një nga kërkesat kryesore të konfirmuara në të a.q. “propozimi francez” që Shkupi duhet ta zbatojë para se të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE.
Zaharieva, u bëri thirrje, siç thotë, “fqinjët dhe miqtë maqedonas, të mos kenë frikë nga ndryshimet”.
“Ndryshimi i Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është punë e madhe. Bullgarët janë pjesë e realitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kjo duhet të pranohet”, thekson ish udhëheqësja e diplomacisë bullgare.
Ajo është e bindur se është e dobishme për të dy vendet që të hapin një faqe të re në marrëdhënie.
“Edhe Sofja edhe Shkupi humbasin nga marrëdhëniet e këqija. Është shumë më mirë të mos kemi kufij midis nesh dhe të zhvillohet biznesi. E rëndësishme është që njerëzit lirisht të takohen dhe të komunikojnë pa frikë”, tha Zaharieva.
Në të njëjtën kohë, ajo përkujtoi se për të ndodhur e gjithë kjo Shkupi duhet t’i plotësojë kushtet e kornizës negociuese dhe të pranojë se bullgarët janë pjesë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Duhet të ndalet diskriminimi ndaj bullgarëve, si dhe rastet e shpeshta të dhunës fizike dhe verbale. Dhe e gjithë kjo është e mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e këtij vendi, që ata vetë të ndihen mirë në vendlindjen e tyre, e jo të shpërngulen”, thotë Ekaterina Zaharieva.
Burimi: TV21