Këtë të hënë pritet të vendoset për përfundimin e mandatit të Holta Zaçajt si kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve për kërkesën e Zaçajt që nuk u arrit të enjten, pritet të merret këtë të hënë, kur është planifikuar mbledhja e radhës së gjyqtarëve.
Secili prej gjyqtarëve do të duhet të shprehet me votë mbi mandatin e Zaçajt dhe si në çdo vendimmarrje tjetër, duhen 5 vota, për të deklaruar përfundimin e mandatit të kryetares së Kushtetueses.
Të enjten në mbrëmje, Zaçaj bëri një hap pas dhe deklaroi kërkesën për ta përfunduar mandatin në Kushtetuese, pasi u përplas me Gjykatën e Lartë, duke pretenduar se mandati i mbaron në fund të vitit të ardhshëm dhe jo në mars, siç parashikohet në skemën e ripërtëritjes, mbi një datë që edhe vetë ajo kishte firmosur në momentin që aplikoi si kandidate në Kushtetuese.
“Kjo është një çështje që po hyn në javën e dytë të diskutimeve, pasi javën e shkuar, vakanca për pasuesen e Holta Zaçaj do të duhej të ishte shpallur dhe duhet të vijonte me procedurat për zëvendësimit e saj. Por duke qenë se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka një tjetër interpretim për shkak të leximit të parashikimeve të saj në kushtetutë, nuk pranoi në fillim që të jepte dorëheqjen, më pas bëri një hap pas dhe vendosi të shpallte vakancën e saj. Por është trupa e gjyqtarëve që duhet të marrë një vendim të tillë. Këtë të hënë trupa e gjyqtarëve kushtetues, pasi të enjten u njohën me deklarimin e Zaçajt për vakancën, dhe të premten nuk u arrit një vendimmarrje, kemi një seancë të radhës për deklarimin e saj për ta shpallur ose jo vakancën për të vijuar më pas me procedurat e zëvendësimit të saj.”, u shpreh gazetarja Erneta Shevroja./
Burimi: botasot.info