Bashkimi i Kumanovës pësoi humbje në udhëtim te Novaci me rezultat 1-0, në ndeshjen e vlefshme të javës së 5-të të Ligës së dytë të RMV-së, sot pasdite në Novaci të Manastirit.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Bashkimit, Florim Ymeri, u shfaq shumë i zhgënjyer për humbjen.
Ai për mikrofonin e Open-TV” komentoi rezultatin, duke shtuar se penalltia në minutën e 81-të të ndeshje ishte klasike, pasi portieri vendës
Simonovski rrëzoi kapitenin e skuadrës mysafire, Egzon Aziri, dhe referi Ninoslav Nankov nga Gostivari në vend se të akordojë penallti për Bashkimin, tregon kontrafaull dhe kartonë të verdhë për Azirin.
Ai shtoi se edhe lojtarët e tij nuk i kishin shfrytëzuar rastet e krijuara.
“Referi kryesor ishte shumë tendencioz, disa thonin që aq dinë, aq referon, mirëpo duhet të mendojnë ata që delegojnë referë, sepse në ligën e dytë nuk referohet në atë mënyrë.
Për mua dhe nga këndvështrimi im ishte penallti klasike. Egzoni i pari luajti me top, portieri u vërsul, i ra në shpinë, kurse referi akordon faull për portirin vendës dhe plus kartonë të verdhë për Egzon Azirin. Referimi i dobër, por edhe nuk i shfrytëzuam rastet që i patëm”, deklaroi trajneri Florim Ymeri.
Kjo ishte humbja e dytë radhazi e Bashkimit në kampionat.
Të mërkurën, në stadiumin e vet Bashkimi e pret Skopjen në ndeshjen e Kupës, kurse të shtunën e ardhshme në Kumanovë vjen Sasa nga Makedonska Kamenica.