Reagimin e ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit, analisti Visar Ymeri, e quan jo të zakonshëm.
Në emisionin “Debat Plus”, Ymeri thotë se Qeveria e Kosovës duhet të marrë një vendim.
Po ashtu ai thotë se Qeveria duhet t’i ikë kërkesës së BE-së që ky vendim të bëhet pjesë e diskutimeve në Bruksel.
Reagimi i SHBA-së ndaj Kosovës nuk është reagim i zakonshëm.
“SHBA-të kanë filluar ta lexojnë këtë qeveri e cila nuk çan kokën për këtë çështje. Ne e kemi një situatë në të cilën Qeveria e Kosovës duhet të marrë një vendim. Ky vendim duhet të jetë ose të pajtohet me ato afate të mënyrës se si do të zbatohet kjo ose të zbatohet vendimi me rrezikun që mundet të dështojë në zbatim, më e mirë për Kosovën do të ishte që të pajtohet me ndërkombëtarët për një zbatim të pjesshëm dhe të shkallëzuar sesa të dështojë në zbatim sepse një gjë që duhet t’i ikim është kësaj kërkesë të BE-së që po insiston që kjo çështje të diskutohet në Bruksel. Ky vendim nuk duhet të bëhet pjesë e diskutimeve në Bruksel, nuk duhet të zhvendoset në diskutim politik”, tha Ymeri.
Sipas tij, kërkesa e SHBA-ve është që të sekuencohet zbatimi i vendimit në mënyrë që t’i jepet kohë përgatitjes së mjaftueshme për konvertim të një sistemi goxha të madh të pagesave përbrenda rregullores së re.
“Mirëpo ajo që është deklaruar të shtunën nga Hovenier e pastaj edhe sot… edhe në takimin e ambasadorëve të tjerë me Kurtin, sipas Hovenier të gjithë e kanë kërkuar shtyrjen. Sot e vuri theksin te cilësia e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, nëse Kosova nuk bashkëpunon me ta, cilësia nënkupton se nëse ju silleni kështu atëherë SHBA-të nuk do t’i bëjnë 1,2,3 që i kanë pasur në plan t’i bëjnë…”, tha ai.