Ministria e Arsimit dhe Sporteve injoron mbledhjen e federatave sportive të iniciuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Pavarësisht se institucioni qeveritar ishte ftuar për të diskutuar për buxhetin, nuk ka dërguar asnjë përfaqësues për të “qarë hallet” e komunitetit të sportit në vend.
Fidel Ylli, president i KOKSH-it, deklaroi se “Buxheti i miratuar nga qeveria është mjeran”. Përfaqësuesit e federatave sportive njëzëri theksuan se paratë që janë akorduar nga shteti nuk mjaftojnë për asgjë. Buxheti për 25 federata është vetëm 700 milionë lekë të vjetër.
“Na është premtuar se do të bëhet një akt normativ për ta çuar buxhetin ku ka qenë. Nuk mund të vazhdojmë me këtë buxhet. Nuk e justifikon as pandemia, as lufta. Duhen gjetur forma siç e ka gjithë bota.
Një mënyrë janë kompanitë e basteve. Ne duam t’i japim mundësi qeverise që kompanitë t’i komandojë qeveria, pasi sjellin të ardhura për sportin e qeverinë. Duhen formalizuar për të sjellë të ardhura.
Këto para duhen kontrolluar nga shteti dhe me pas të investojmë në përmirësimin e kushteve. Janë me miliona euro që qarkullojnë nga individë të pakontrolluar. Nuk duhet të pastrohen para të pista. Nuk mund të heshtim për buxhetet mjeranë,” – këmbënguli më tej në deklaratën e tij Fidel Ylli.