Leandro Trossard vazhdimisht po lidhet me një transferim në këtë merkato dimërore te Chelsea, që prej se Graham Potter u largua nga Brightoni për të marrë detyrën e trajnerit në “Stamford Bridge” në shtator.
Trossard po tregon paraqitje të shkëlqyeshme me Brightonin këtë sezon, duke regjistruar shtatë gola dhe tre asistime mbi emrin e tij, duke përfshirë këtu edhe një gol në fitoren 4:1 të skuadrës së tij kundër Chelseat, raporton KosovaPress.
Kontrata aktuale e yllit belg skadon në qershorin e vitit të ardhshëm, dhe Brightoni e ka opsionin për t’ia zgjatur atij kontratën edhe për një vit.
Së fundmi, Trossard u intervistua nga “Het Laatste Nieuws”, ku edhe tregoi se Kupa e Botës “Katar 2022’ nuk do të luaj rol në transferimin e tij pasi që të gjitha klubet e njohin atë. Po ashtu, Trossard iu përgjigj edhe spekulimeve që po e lidhin atë me një kalim të mundshëm te Chelsea.
“Chelsea ende nuk ka raportuar ndonjë interesim në mua. Jo me Brightonin dhe jo me mua. Mbetet të shihet, më duhet të pres. Dua që ta përfundoj mirë me Brightonin dhe të largohem drejt Katarit me atë ndjenjë të mirë”, tha Trossard.
Trossard arriti në Angli në vitin 2019, pasi që Potter morri drejtimin e Brightonit, dhe që nga ajo kohë ka arritur të bëjë 117 paraqitje në të gjitha garat duke regjistruar 25 gola dhe 14 asistime mbi emrin e tij.