Frika fillestare dhe më pas dominimi. Franca e nisi mirë Kupën e Botës në Katar, duke mundur Australinë. Performancë kolektive e nivelit absolut, pavarësisht mungesave të shumta, e zbukuruar nga individë të rëndësishëm: Rabiot, Giroud dhe mbi të gjitha një Mbappe i papërmbajtshëm, i cili i vuri firmën suksesit me një gol, një asist dhe shumë veprime të rëndësishme. Nuk është rastësi që ai ishte “njeriu i ndeshjes” në fund të lojës.
Një përballje mbresëlënëse nga sulmuesi i PSG-së që ndihmoi “Les Bleus” të fitonin ndeshjen hapëse të “Katar 2022”, një situatë që nuk kishte ndodhur për kampionët në fuqi të botës që nga edicioni i vitit 2006. Ndaj ka shifra dhe statistika inkurajuese për Francën, e cila pavarësisht humbjes së Benzemas, ka treguar se mund të llogarisë në një Mbappe dhe Giroud në formë të shkëlqyer.
Ekziston një e dhënë veçanërisht për të parin, e cila është mbresëlënëse. Ajo lidhet me praninë e tij në zonën kundërshtare, si një kërcënim i vazhdueshëm. Në fakt, që nga fillimi i ndeshjes, Mbappé e mbajti mbrojtjen e Australisë të frikësuar, duke lëvizur në të gjithë frontin ofensiv. Sa topa preku sulmuesi francez në zonën kundërshtare gjatë më shumë se 90 minutave? Rekord për një lojtar në një ndeshje të Botërorit.
Në të vërtetë, sipas të dhënave të Opta, një situatë e ngjashme nuk kishte ndodhur që nga viti 1970 me një lojtar që shënoi 19 ose më shumë prekje të topit në zonën e rreptësisë së kundërshtarit. Ndër të fundit që ka pasur sukses, një lavdi e madhe e futbollit italian, pikërisht Gigi Riva.
Prandaj, nuk ka nevojë të shtohet asgjë tjetër, për të nënvizuar “prezencën” e Mbappe në fushë dhe aftësinë e tij për të mbajtur nën presion prapavijën e Australisë, duke u dëshmuar të jetë një “gjemb në këmbë” të kundërshtarit. Franca mund të llogarisë një fenomen të vërtetë, por kjo dihej tashmë.