Me kampionatin që tashmë ka përfunduar dhe me daljen në Evropë që është siguruar, futbollistët e Dritës kanë vendosur fokusin e tyre tek ndeshja e 26 majit, ajo kundër Llapit në finalen e Kupës së Kosovës.
Fitorja e thellë me rezultat 5-0 ndaj Ulpianës në xhiron e fundit ia siguroi Dritës vendin e dytë në tabelë dhe tani ekipi është i gatshëm për t’u përballur me skuadrën e trajnerit Tahir Batatina, që është në kërkim të mbrojtjes së këtij trofeu.
Kapiteni Ardian Limani i cili sw fundi vazhdoi kontratën me skuadrën gjilanase, thotë për KosovaPress se triumfi në Kupën e Kosovës do ta bënte këtë sezon të suksesshëm për Dritën sepse vetëm dalja në Evropë nuk mjafton për këtë skuadër.
Limani: Nuk jemi të kënaqur vetëm me daljen në Evropë
“Një sezon i mirë në përgjithësi mirëpo dihet se gjithmonë Drita lufton për trofe dhe nëse këtë vit e mbyllim me trofe që na ka mbetur vetëm trofeu i Kupës atëherë do të ishte një sezon i suksesshëm sepse ne nuk jemi të kënaqur vetëm me daljen në Evropë sepse dalja në Evropë është një qëllim që duhet të arrihet patjetër ndërsa nëse e fitojmë kupën atëherë do të jemi në rregull”, tha fillimisht Ardian Limani.
Limani shton se mungesa e këtij trofeu për një periudhë 20 vjeçare, do të jetë një motiv shtesë që lojtarët ta japin maksimumin e tyre për t’I bërë të lumtur tifozët e Dritës
Limani: E duam këtë trofe, na mungon tash e 20 vite
“Pra e gjithë vëmendja është tek ndeshja me Llapin sepse na ka mbetur vetëm edhe ai trofe. Unë personalisht nuk e kam fituar ende këtë trofe mirëpo edhe Drita ka 20 vite që nuk e ka fituar dhe tifozët e presin me shumë entuziazëm këtë ndeshje. Llapi ka një skuadër shumë të fortë dhe ne jemi duke bërë analiza çdo ditë, me video-analiza po e shikojmë Llapin çdo ditë, po i shohim pikat e tyre të forta dhe të dobëta dhe mendojmë që ngadal po përgatitemi shumë mirë për këtë ndeshje dhe shpresojmë shumë që ta fitojmë”, theksoi Limani.
Duke e ditur rëndësinë e madhe që ka kjo finale, sulmuesi Arbnor Muja thotë se së bashku me trajnerin janë duke bërë analiza të detajuara për të kuptuar dobësitë e Llapit që më pas ato të shfrytëzohen për të gjetur avantazhin.
Muja: I dimë mirë dobësitë e Llapit
“Mendoj që sa i përket Llapit jemi përgatitur javë pas jave për ta, mendoj që jemi duke bërë përgatitje shumë të mirë dhe i gjithë fokusi javët e fundit ka qenë vetëm tek ndeshja me Llapin. Mendoj që e njohim mirë ekipin e Llapit, i dimë avantazhet ndaj tyre dhe disavantazhet, po ashtu mendoj që do t’I shfrytëzojmë të gjitha pikat e forta tonat që i kemi në atë ndeshje”, tha Muja.
Që Drita është maksimalisht duke u përgatitur për t’I gëzuar “Intelektualët” duke e fituar Kupën e Kosovës, e thotë edhe mbrojtësi Ardian Cuculi. Por, ai bën thirrje që të këtë vigjilencë në këtë ndeshje sepse, sipas tij, një gabim mund të kushtojë rëndë.
Cuculi: Do të japim maksimumin për 90 minuta ndaj Llapit
“Tani kur vjen fundi i kampionatit dhe normalisht edhe sigurimi i Evropës, gjithë fokusi dhe vëmendja jonë ka qenë gati dy javë tek ndeshja e kupës. Është një ndeshje e rëndësishme shumë, është një trofe që duhet fituar, duke e marr faktin që Drita gati mbi 20 vite nuk ka luajtur në finale, ose nuk e ka fituar finalen më saktë. Kështu që do të jetë akoma një shtysë më e madhe për ne, për ta gëzuar këtë qytet, këtë tifozeri të zjarrtë “Intelektualët”. Them se do të bëjmë maksimumin me përpjekjet tona, është 90 minuta lojë, do të jemi të kujdesshëm, një gabim mund të kushtojë kështu që duhet të përgatitemi sa më shumë dhe të qëndrojmë më këmbë në tokë dhe normalisht t’i zbatojmë detyrat e trajnerit dhe pastaj i ngelet fushës gjë që shpresoj se do të na sjell fat”, tha Cuculi.
Kujtojmë se Llapi dhe Drita do të ballafaqohen më 26 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.