Dështimi i papritur përballë Arabisë Saudite ka qenë një grusht i rëndë për futbollistët e përfaqësueses së Argjentinës. Mediat amerikano-jugore kanë zbuluar se disfata është përjetuar si një tragjedi e vërtetë nga një grup që cilësohet pretendent për të fituar trofeun.
E përditshmja sportive argjentinase “Ole” raporton se në dhomat e zhveshjeve kishte qetësi absolute dhe askush nuk kishte guxuar të çonte zërin në një moment shumë delikat. Mesi, Di Maria, Papu Gomez dhe Emiliano Martinez ishin ata që ishin shfaqur para mediave në fund të sfidës për të dhënë shpjegimet për atë që kishte ndodhur.
“Si është gjendja e ekipit?”, u pyet Mesi nga gazetarët argjentinas. “Si të vdekur”, ishte sinqeriteti i “Pleshtit”, pa shtuar më shumë. Dhe kjo shihej qartësisht edhe nga mënyra se si futbollistët argjentinas, në rresht për një, u larguan duke parakaluar në zonën e mediave pa folur, përvec emrave të mësipërm.
Edhe në hotel, ekipi ka shkuar në qetësi të plotë për të konsumuar drekën, teksa raportohet se një pjesë e madhe e lojtarëve kishin vendosur që të mos drekonin, duke lënë pjatat e paprekura mbi tavolinë. Një situatë që ia vështirëson shumë punën Lionel Skalonit, i cili tashmë duhet të ngrejë moralin e një skuadre e cila vinte nga 26 ndeshje pa humbje, por humbi pikërisht atë që nuk e priste askush..