Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal ka lavdëruar ekipin e tij pas fitores së thellë dhe bindëse ndaj Bayern Munich të mërkurën mbrëma në Ligën e Kampionëve.
Barcelona ka mposhtur Bayern Munichun me rezultat 4-1 në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve 2024/25.
Ekipi i trajnerit Hansi Flick dhuroi një paraqitje mahnitëse dhe fitoi falë tri golave të Raphinha dhe një tjetër të Robert Lewandowskit.
Kjo fitore ka bërë që ylli i ri i Barçës, Yamal të ndihet krenar me ekipin e tij, të cilin e ka cilësuar si më të mirin në botë.
“Para kësaj ndeshjeje [kundër Bayern Munichut] ne tashmë po ndiheshim shumë të sigurt”, ka thënë fillimisht Yamal për CBS Sports.
“Besojmë se jemi skuadra më e mirë në botë dhe mendoj se po e dëshmojmë”.
“Ne do të shkojmë me të gjitha forcat tona dhe le të fitojë skuadra më e mirë [në El Clasico]”, përfundoi 17-vjeçari.
Ndryshe, katalunasit përballen me Real Madridin në Santiago Bernabeu të shtunën, më 26 tetor, nga ora 21:00.
Burimi: botasot.info