Xi në mandatin e tretë si sekretar i Partisë Komuniste të Kinës

October 24, 2022
min lexim

Xi Jinping ruan statusin si sekretar i përgjithshëm i partisë dhe tani pritet të bëhet president i Kinës për një mandat të tretë.

Të dielën (23.10.), Partia Komuniste Kineze rizgjodhi zyrtarisht Xi Jinping-un si sekretar të përgjithshëm të partisë për një mandat tjetër pesëvjeçar, duke hapur rrugën për mandatin e tij të tretë historik si president kinez.

Njoftimi i pritur gjerësisht vjen pas një jave kongres të Partisë Komuniste, në të cilat Xi forcoi më tej kontrollin e tij mbi pushtetin.

Besnikët e partisë kanë miratuar pozicionin e tij “qendror” në krye të vendit dhe kanë miratuar ndryshimet në kushtetutë, që vendosin vizionin politik të Xi-së në qendër të së ardhmes së Kinës.

Ky vendim e kthen me vendosmëri vendin aziatik në sundimin e një njeriu, pas dekadave të ndarjes së pushtetit midis elitave të saj. Media shtetërore kineze raportoi se Xi ishte riemëruar gjithashtu si kreu i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës.

Image

Xi Jinping

“Dua të falënderoj sinqerisht të gjithë Partinë për besimin tek ne,” u tha Xi gazetarëve në Sallën e Madhe të Popullit të Pekinit pas njoftimit. Ai premtoi se “do të punojmë me zell në përmbushjen e detyrave tona për t’u treguar të denjë për besimin e madh të Partisë dhe popullit tonë”. “Kina nuk mund të zhvillohet pa botën, dhe bota gjithashtu ka nevojë për Kinën,” vazhdoi ai. “Pas më shumë se 40 vjet përpjekjesh të palodhura për reforma dhe hapje, ne kemi krijuar dy mrekulli – zhvillim të shpejtë ekonomik dhe stabilitet afatgjatë social.”

Xi drejt mandatit të tretë të paprecedentë

Tani është pothuajse e sigurt se Xi do të sigurojë një mandat të tretë presidencial në seancat vjetore legjislative në mars. Në vitin 2018, ai hoqi kufirin me dy mandate presidenciale, duke i lejuar vetes të sundojë për një kohë të pacaktuar. Disa tani presin që lideri 69-vjeçar të përpiqet të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.

Delegatët e Kongresit zgjodhën gjithashtu një komitet të ri qendror të përbërë nga 205 zyrtarë partiakë – me vetëm 11 gra. Anëtarët e Komitetit Qendror zgjodhën më pas Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike të gjithëfuqishme, të cilin Xi do ta drejtojë përsëri.

Një listë e zyrtarëve nga Komiteti i ri Qendror zbuloi zëvendësimin e katër nga shtatë anëtarët e Komitetit të Përhershëm, duke përfshirë kryeministrin Li Keqiang, duke lejuar Xi të instalojë besnikë në këtë organizëm. Ata janë shefi i Partisë së Shangait, Li Qiang, ndihmësi i tij i ngushtë Ding Xuexiang dhe shefi i Partisë në Guangdong, Li Xi, njoftuan mediat shtetërore. Xi dhe anëtarët e tjerë të Komitetit të Përhershëm u shfaqën për herë të parë si grup para gazetarëve të dielën në Sallën e Madhe të Popullit, selia e legjislaturës ceremoniale të Kinës në qendër të Pekinit.

Njeriu më i fuqishëm që nga Mao

Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, Xi ka arritur një përqendrim të pushtetit si asnjë lider modern kinez, përveç themeluesit të Kinës moderne, Mao Ce Dunit. Xi intensifikoi rolin qendror të Partisë Komuniste, duke zgjeruar kontrollin e shtetit mbi shoqërinë dhe ekonominë. Ai gjithashtu mbikqyri ngritjen e Kinës në ekonominë e dytë më të madhe në botë, një ekspansion të madh ushtarak dhe një qëndrim shumë më agresiv global, që solli kundërshtimin e fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht se ka pushtet pothuajse të pakontrolluar, Xi do të përballet me sfida të mëdha gjatë pesë viteve të ardhshme, duke përfshirë menaxhimin e ekonomisë së vendit me borxhe dhe rivalitetin në rritje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Image

Xi Jinping

Reagime ndërkombëtare pas rizgjedhjes së Xi-së

Presidenti rus Vladimir Putin e vlerësoi Xi, duke shtuar se ai mezi priste të zhvillonte një “partneritet gjithëpërfshirës” midis dy vendeve. Sipas një deklarate të postuar në faqen e internetit të Kremlinit, Putin i tha Xi se rezultatet e zgjedhjeve “konfirmojnë plotësisht autoritetin tuaj të lartë politik”.

Përveç Putinit, letër urimi Xi-ut i dërgoi edhe lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Politika kineze: “Fituesi merr gjithçka”.

Hsin-Hsien Wang, një ekspert i politikës së Kinës në Universitetin Kombëtar Chengchi në Tajvan, tha për DW se riemërimi i Xi-së dhe zgjedhjet e tij për Byronë Politike tregojnë se “besnikëria politike është shumë e rëndësishme”.

“Ky rezultat do të thotë se në pesë vitet e ardhshme jo vetëm që do të mungojnë kontrollet dhe balancat brenda partisë, por do të bëhet shumë më e vështirë që të dalin mendime të ndryshme”, tha ai.

Wen-Ti Sung, lektor i studimeve tajvaneze në Universitetin Kombëtar Australian (ANU), aktualisht në Taipei, tha se rezultati ishte provë se ekziston një “situatë fituesi në politikën e sotme të Kinës”. Sipas Sungut, “Xi po i tregon botës se ajo duhet të heqë dorë së shpresuari” për një “luftë fraksionale për pushtet brenda Kinës sot ose në të ardhmen”.

“Nuk do të ketë një figurë tjetër pushteti me shtat të krahasueshëm që mund të luajë një rol balancues ose të jetë pika qendrore e një opozite të organizuar kuptimplotë për të kontrolluar fuqinë e Xi-së,” tha ai.

Image

Anëtarët e rinj të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike

Sung-u paralajmëroi gjithashtu se çështja e Tajvanit ka të ngjarë të mbetet në fokus. Xi ka kërcënuar se do të rimarrë me forcë ishullin e pavarur që Kina e konsideron territorin e saj. Alfred Wu, profesor i asociuar në Shkollën e Politikave Publike Lee Kuan Yew në Singapor, tha për DW se ata që u zgjodhën për të shërbyer në Byronë Politike ishin njerëz që kishin punuar me Xi-në në të kaluarën.

Unë do të thosha se ai dëshiron një mandat të katërt dhe ai grup njerëzish do ta mbështesin atë kur të vijë vendimi për mandatin e katërt. Struktura e përgjithshme është të sigurohet që ai të qëndrojë numri 1 në Kinë për të paktën dhjetë vjet,” tha ai.

Wu shtoi se sistemi politik i Kinës “nuk ndryshon nga një diktaturë”, duke dhënë shembullin e Xi-së që këmbëngul se strategjia “zero COVID” e vendit mbetet rruga më e mirë e veprimit, pavarësisht rihapjes në pjesën tjetër të botës.

Ian Chong, politolog në Universitetin Kombëtar të Singaporit, tha se “diplomacia e luftëtarëve ujq” e Xi ka të ngjarë të vazhdojë dhe ka një shans që të mund të mbingarkohet. “Pyetja do të jetë se si vendosin t’i përgjigjen shtetet demokratike anembanë botës kësaj ashpërsie të shtuar,” tha ai, duke shtuar se do të kishte më shumë potencial për fërkime./DW

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ka një shpjegim! Pse gratë e ndjejnë më shumë të ftohtin sesa burrat

Story i radhës

Shenjat që i pret një ‘nëntor i vështirë’

Të fundit nga

​Netanyahu do t’i nënshtrohet operacionit

​Netanyahu do t’i nënshtrohet operacionit Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e prostatës, njoftoi zyra e tij. 75-vjeçari u diagnostikua me një infeksion urinar si pasojë e
ShkoLartë