Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Xhim Xhema ka ofruar kontributin e tij për realizimin e “Muzeut të Paqes” në kryeqytet.
Rama ka shkruar se takimin me atdhetarin Xhim Xhema është gjithmonë privilegj.
“Gjatë gjithë jetës së tij, ai ndihmoi çështjen shqiptare duke u bërë një dritë shprese për ne në komunitetin ndërkombëtar. Kontributi i tij vazhdon edhe sot, tani në ruajtjen e historisë tonë kolektive.
Xhim Xhema ka ofruar kontributin e tij për realizimin e “Muzeut të Paqes” në Prishtinë. Ky muze do të kontriboj në forcimin e kujtesës sonë kolektive për të kaluarën tonë, për nderimin e kontribuesit të çështjes sonë dhe do të shërbejë si themel për të edukuar brezat e ardhshëm mbi vlerat e paqes dhe demokracisë.
Xhim Xhema ka marrë përsipër një përgjegjësi të madhe, duke siguruar mbështetje financiare të plotë për dizajnimin dhe ndërtimin e muzeut. Përjetësisht mirënjohës për kontributin e tij për popullin shqiptar dhe për forcimin e imazhit të Prishtinës si një qytet që, përmes artit dhe arsimimit, promovon paqen dhe rëndësinë e bashkëpunimin ndërkombëtar. Faleminderit, Xhim Xhema, për këtë kontribut të jashtëzakonshëm”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ky muze do të mbetet një testament i veprës suaj sublime për Kosovën dhe një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë.
Burimi: botasot.info