Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka lavdëruar Xherdan Shaqirin për paraqitjen e tij në miqësoren me Anglinë të shtunën mbrëma, e cila u fitua nga “Tre Luanët” me rezultatin 2:1.
Xherdan Shaqiri ishte asistues te goli i vetëm i shënuar nga Breel Embolo në minutën e 23-të.
“Ai u përgatit në mënyrë të shkëlqyer. Sidomos në pjesën e parë, Shaqiri ishte i rëndësishëm në paraqitjen tonë të mirë. Ai kishte disa lëvizje të bukura. Pikërisht këtë dua të shoh nga Xherdani”, tha Yakin.
“Xherdanin mund ta shihni tani që është në ritëm. Ai tregon entuziazëm të madh për lojën”, shtoi ai.
Shaqiri nën drejtimin e Murat Yakinit po luan si mesfushor prapa sulmuesit, pavarësisht se pozita e tij natyrale është sulmues i krahut të djathtë.
Dhe, Yakinit po i pëlqen paraqitja e futbollistit nga Kosova në atë pozitë, teksa tha se nga ai mund të kërkojnë edhe më shumë.
“Në sistemin tonë, ai me të vërtetë vjen në vetvete. Mund ta kërkojmë edhe më shumë në lojë”, deklaroi selektori i “Helvetikëve”.
Zvicra më 29 mars do të zhvillojë miqësoren me Kosovën.