Kapiteni Xherdan Shaqiri është heroi i fitores spektakolare 4:3 të Baselit në klasiken si mysafir ndaj FC Zurich-ut. Golat e tij ishin vendimtarë për ta bërë trajnerin Ludovic Magnin të paraqitej para kamerave me buzëqeshje.
“Trajneri i FC Baselit, Ludovic Magnin, ndodhej nën presion të madh para klasikes.
Pas intervistës së drejtorit sportiv Christian Stucki, dhënë pas humbjes 1:3 ndaj Salzburgut në Ligën e Evropës, ishte bërë e qartë: karrigia e Magninit po lëkundej seriozisht.
Fitore ose largim – ky ishte mesazhi i qartë.
“Para ndeshjes, eksperti i “Blue Sport”, Pascal Zuberbühler, kishte shfaqur pak mirëkuptim për deklaratat e Magninit.
“Nuk më pëlqyen fare ato deklarata. Në atë situatë, Stucki ia kishte prerë tashmë këmbët Magninit!”, u shpreh ai.
Fat për Magninin që Shaqiri “erdhi me vegla pune” në stadiumin “Letzigrund” të dielën.
Para ndeshjes, ylli i FC Baselit i injoroi në heshtje provokimet, por përgjigjja e tij në fushë ishte edhe më e fuqishme.
Shaqiri realizoi tre gola dhe dha një asist në fitoren 4:3, ndërsa golin e fitores e shënoi në minutën e katërt të shtesës. E pabesueshme!”, shkruan mes të tjera media zvicerane “Bluewin”.
Bashkëlojtarët e dinë mirë se kujt t’i falënderohen. Ndërsa Ludovic Magnin u shfaq dukshëm i lehtësuar.
“Ishte një ndeshje fantastike për tifozët, por jashtëzakonisht stresuese për ne në stol,” tha ai.
Ai shtoi se ishte “jashtëzakonisht krenar për ekipin”, për mënyrën se si reaguan pas golit të hershëm të pësuar.
“Shumë skuadra do të ishin rrëzuar në atë moment, por ne jo. Kjo tregon edhe një herë se dhoma e zhveshjes është e fortë dhe se kemi shpirt të madh ekipor”.
Burimi: botasot.info


