Arsenali u rikthye në krye të Premier Ligës me fitoren 5- 0 ndaj Notingem Forestit të dielën, e cila përkoi edhe me ndeshjen e 200-të të Granit Xhakës në Premier Ligë me fanellën e “Topçinjve”.
Ish-kapiteni tha për mikrofonat e televizionit të klubit se ishte me të vërtetë krenar për këtë arritje historike në një klub kaq të madh, por paralajmëroi se ai nuk e ka përmbushur ende misionin e tij në “Emirates”.
“Dyqind ndeshje në Premier League për këtë klub të shkëlqyer më bëjnë krenar.
Më bëjnë krenar për veten, për shokët e skuadrës, për stafin që kam punuar këto shtatë vitet e fundit.
Ndihem si në shtëpi dhe shpresoj që të vijnë edhe shumë të tjera. Dyqind ndeshjet nuk arrihen nga dje sot.
Duhet shumë punë e madhe, shumë disiplinë”, tha 30-vjeçari, i cili tri vite më parë bëri gati valixhet për t’u larguar pas krisjes me tifozët dhe heqjes së shiritit të kapitenit.
Por falë trajnerit Mikel Arteta, i cili e bindi për të qëndruar në Londër, Xhaka është rikthyer këtë sezon në një nga pikat më të forta të kryesuesve të Premier Ligës.
Aktualisht Arsenali duket ekipi i vetëm që mund të rivalizojë këtë sezon për titull me kampionët e Mançester Sitit.
Xhaka nuk ka luajtur vetëm 17 minuta këtë sezon në Premier Ligë, 15 prej të cilave ishin në ndeshjen e fundit kundër Forestit.
Të enjten, Zyrihu do të vijë në “Emirates” për të mbyllur fazën e grupeve të Ligës së Europës, por Xhaka do të bëjë një pushim të detyruar, pas kartonit të tretë të verdhë që mori javën e shkuar kundër PSV-së.
Mesfushori do të rikthehet i freskët për derbin e së dielës kundër Çelsit në “Stamford Bridge”.