Wolves gjen rrugën drejt fitores pas tre javësh. “Ujqërit” morën 3 pikët në takimin ndaj Nottingham Forest që u luajt në “Molineux Stadium”.
Kjo sfidë u dominua nga vendasit, të cilët gjetën rrugën drejt rrjetës në minutën e 56’ me Neves që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Nottingham mund të kishte barazuar në minutën e 79’ nëse Johnson nuk do të kishte shpërdoruar penalltinë. Pas raundit të 10-të Wolves renditet në vend të 17-të me 9 pikë, teksa Nottinnham Forest qëndron në vend të fundit me 5 pikë.
Dy skuadrat e ngjitura këtë sezon në Premier League, Fulham dhe Bournemouth dhuruan spektakël në “Craven Cottage”. Pavarësisht dominimit të vendasve, kjo sfidë u mbyll me barazimin 2-2.
Ishin djemtë e O’Neil ata që gjetën të parët rrugën drejt rrjetës, duke zhbllokuar takimin që në minutën e 2’ me Solanke, i cili realizoi një perlë të vërtetë.
Avantazhi i miqve zgjati vetëm 20 minuta, pasi në të 22-ën Diop barazoi për Fulham. Ndërsa 7 minuta më pas Bournemouth rigjeti avantazhin pas golit të Lerma.
Pjesa e dytë do të fliste për vendasit, me Mitrovic që u dhuroi barazimin në minutën e 52’. Më pas ekipi i Silva-s pati disa raste për të marrë fitoren, por që nuk mundi t’i finalizonte siç duhej.
Pas javës së 10-të të Premier League, Fulham renditet në vend të 10-të me 12 pikë, teksa Bournemouth në vend të nëntë me 13 pikë të grumbulluara.