Pritja ka marrë fund. Apple lançoi ditën e djeshme iOS 16 për të gjithë përdoruesit të cilin mund ta shkarkoni duke shkuar në Settings dhe më pas General ndjekur nga Software dhe Update.
Përditësimi është i disponueshëm në iPhone 8 dhe versionet më të fundit të iPhone. Por krahas iOS 16, Apple lançoi edhe watchOS 9.
Për të instaluar këtë përditësim duhet të shkarkoni fillimisht iOS 16. Aksesin në watchOS 9 e përfitoni vetëm në Apple Watch Series 3 dhe versionet më të fundit.
Duhet theksuar se jo çdo funksionalitet i watchOS 9 do të jetë i disponueshëm tek të gjithë modelet Apple Watch në çdo rajon.
Si me përditësimet e kaluara, fitnesi mbetet në vëmendje. Përdoruesit do të shohin zonat e ritmit të zemrës dhe gjumin e tyre. Gjithashtu është shtuar mbështetja për ushtrimet fizike dhe një mënyrë për të monitoruar performancat më të mira.
Ndryshime të reja janë ndërfaqe e ridizajnuar e Siri, Quick Actions dhe disa fytyra të reja. /PCWorld Albanian