Vota e diasporës edhe në këto zgjedhje u dëshmua vendimtare për Lëvizjen Vetëvendosje, duke i siguruar mandate shtesë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e Kuvendit.
Në anën tjetër, partitë opozitare mbetën dukshëm prapa në mbështetjen e mërgatës, duke hapur debat për lidhjen e tyre me qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
Dashnim Hebibi, presidenti i Institutit Shkencor Helvetik për Evropën Juglindore me seli në Zvicër, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se mbështetja e diasporës për LVV-në nuk është rastësi, por rezultat i një procesi të gjatë politik dhe shoqëror.
Sipas tij, mërgata, sidomos gjeneratat e reja, kërkon institucione funksionale, luftë kundër korrupsionit dhe zhvillim ekonomik. Pikërisht për këtë arsye, LVV ka arritur të fitojë besimin e një pjese të madhe të diasporës, duke u perceptuar si forcë e ndryshimit dhe e reformave.
“Vota e diasporës edhe në këto zgjedhje dëshmoi se mërgata mbetet një faktor vendimtar në politikën e Kosovës. Mbështetja e saj për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është thjesht rezultat i një fushate zgjedhore, por pasqyrim i një procesi më të gjatë politik, emocional dhe shoqëror që ka ndodhur ndër vite.
Diaspora shqiptare, edhe pse fizikisht larg atdheut, vazhdon ta mbajë Kosovën në zemër. Gjeneratat e para dhe të dyta të mërgatës kanë një lidhje të fortë emocionale me vendin, sepse e kanë përjetuar nga afër periudhën e okupimit, rezistencën, luftën dhe rrugën drejt pavarësisë. Ata e dinë çmimin e lirisë dhe kontributin që diaspora ka dhënë në momentet më të rëndësishme të historisë sonë.
Megjithatë, sot po përballemi me një realitet të ri. Gjenerata e tretë dhe e katërt e diasporës nuk e shohin Kosovën vetëm përmes emocioneve dhe kujtimeve të prindërve apo gjyshërve të tyre. Ata kërkojnë rezultate konkrete, zhvillim ekonomik, institucione funksionale, luftë kundër korrupsionit dhe perspektivë evropiane. Për ta, patriotizmi nuk matet vetëm me fjalë, por me arritje.
Kjo është një nga arsyet pse një pjesë e madhe e diasporës është identifikuar me diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje. LVV ka arritur të krijojë perceptimin se përfaqëson ndryshimin, luftën kundër korrupsionit dhe një qasje më të drejtë ndaj shtetit. Për shumë mërgimtarë, veçanërisht të rinj, ky mesazh ka qenë më bindës sesa ofertat e partive tradicionale”, tha ai.
Tutje, Hebibi thotë se diaspora nuk është një bllok politik i vetëm dhe nuk duhet trajtuar si e tillë. Sipas tij, mërgata është e larmishme dhe kërkon respekt, përfaqësim dhe rezultate konkrete, jo vetëm mbështetje në zgjedhje.
Ai kritikon partitë në Kosovë, duke thënë se kanë humbur kontaktin me diasporën dhe e kujtojnë vetëm gjatë fushatave. Po ashtu, thekson se kontributi i mërgatës në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës ka qenë i madh, por sot mungon mbështetja institucionale, duke rrezikuar identitetin e brezave të rinj.
“Megjithatë, diaspora nuk mund të identifikohet me një subjekt të vetëm politik. Mërgata shqiptare është shumë më e madhe, më e larmishme dhe më e avancuar sesa të reduktohet në mbështetje për një parti të vetme. Në të ka profesorë universitarë, akademikë, sipërmarrës, shkencëtarë, artistë dhe veprimtarë nga të gjitha bindjet politike. Ajo nuk voton si bllok unik, por si komunitet që kërkon respekt, përfaqësim dhe rezultate konkrete.
Problemi kryesor është se partitë tradicionale, sidomos opozita, kanë humbur kontaktin e vazhdueshëm me diasporën. Në kohën e Presidentit Ibrahim Rugova, lidhjet me mërgatën ishin të përhershme dhe jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Mërgata ndihej pjesë e proceseve politike dhe kombëtare. Sot shumë qytetarë jashtë vendit kanë përshtypjen se kujtohen vetëm kur afrohen zgjedhjet.
Për vite të tëra, qeveritë e Kosovës kanë organizuar takime, manifestime dhe vizita në diasporë, por shpesh pa rezultate konkrete. Janë dhënë falënderime të shumta për kontributin e mërgatës, por shumë pak projekte afatgjata që do ta forconin lidhjen e saj me atdheun.
Një aspekt që shpesh harrohet është se diaspora shqiptare nuk ka pritur gjithmonë ndihmën e institucioneve. Përkundrazi, ajo është organizuar vetë. Për dekada me radhë, mërgimtarët kanë krijuar shoqata, organizata, klube dhe rrjete profesionale që kanë mbajtur gjallë identitetin kombëtar. Në shumë vende të Evropës dhe botës, shoqëritë kulturo-artistike shqiptare kanë qenë ambasadorët më të mirë të kulturës sonë. Ato kanë organizuar koncerte, festivale, akademi përkujtimore, aktivitete sportive dhe ngjarje kombëtare, duke e mbajtur të gjallë frymën shqiptare larg atdheut.
Po aq i madh ka qenë kontributi i shkollave plotësuese shqipe. Për vite të tëra, mësues dhe veprimtarë të diasporës kanë punuar vullnetarisht për t’ua mësuar gjuhën shqipe brezave të rinj. Falë tyre, mijëra fëmijë shqiptarë kanë ruajtur lidhjen me gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre. Megjithatë, sot shkollat plotësuese shqipe përballen me mungesë financimi, mungesë kuadrosh dhe mbështetje të pamjaftueshme institucionale. Në shumë vende po vërehet rënie e interesimit dhe rreziku i humbjes së gjuhës shqipe po bëhet gjithnjë e më serioz.

Shumë të rinj shqiptarë të lindur jashtë Kosovës e flasin gjuhën shqipe me vështirësi ose të përzier me gjuhën e shtetit ku jetojnë. Kjo nuk është faj i tyre, por pasojë e mungesës së një strategjie afatgjatë për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë. Pikërisht për këtë arsye duhet të investohet shumë më tepër në arsimin plotësues shqip, në tekstet shkollore moderne dhe në programe që e bëjnë mësimin e gjuhës më tërheqës për brezat e rinj”, shprehet Hebibi.
Në fund, ai thotë se diaspora është e padukshme në mediat e Kosovës dhe aktivitetet e saj nuk pasqyrohen mjaftueshëm. Ai propozon krijimin e një redaksie të posaçme për diasporën në RTK dhe një platformë të qëndrueshme mediale për ta afruar mërgatën me vendin.
Sipas tij, Kosova duhet të kalojë nga fjalët në politika konkrete dhe afatgjata për diasporën.
“Një tjetër problem serioz është mungesa e pasqyrimit të jetës së diasporës në mediat publike të Kosovës. Çdo vit organizohen qindra aktivitete kulturore, artistike, sportive, arsimore dhe humanitare nga shqiptarët në mërgim, por shumica e tyre mbeten pothuajse të padukshme për opinionin publik në Kosovë.
Për këtë arsye, Radio Televizioni i Kosovës duhet të krijojë një redaksi të posaçme për diasporën, me program të rregullt informativ dhe dokumentar. Një redaksi e tillë do të raportonte për aktivitetet e mërgatës, sukseset e shqiptarëve në botë, sfidat e komuniteteve tona dhe iniciativat që forcojnë lidhjen me atdheun. Kjo do të ndihmonte që diaspora të ndihej më afër Kosovës dhe në të njëjtën kohë do të frymëzonte brezat e rinj me histori suksesi dhe modele pozitive.
Në të kaluarën ka ekzistuar TV Diaspora, një projekt i rëndësishëm që synonte ta afronte mërgatën me vendlindjen. Megjithatë, ai mbijetoi me vështirësi për shkak të mungesës së mbështetjes së qëndrueshme institucionale. Kjo tregon se Kosova ka nevojë për një platformë të fuqishme mediale dhe digjitale për diasporën, e mbështetur nga shteti dhe institucionet publike.
Prandaj ka ardhur koha që Kosova të ndërtojë politika të reja dhe serioze për diasporën. Nuk mjaftojnë më fjalët dhe ceremonitë. Duhet të ketë projekte konkrete që i shërbejnë brezave të rinj”.
“Kosova ka nevojë për:
• një Muze të Diasporës Shqiptare;
• një Bibliotekë Kombëtare të Diasporës;
• programe të veçanta universitare për të rinjtë e mërgatës;
• kampe verore kulturore dhe edukative;
• fonde për ruajtjen e gjuhës shqipe;
• qendra kulturore shqiptare në vendet me përqendrim të madh të diasporës;
• programe për lidhjen e profesionistëve të diasporës me institucionet e Kosovës;
• një platformë mediale publike për diasporën dhe një redaksi të përhershme në RTK;
• programe të veçanta për mbështetjen e shkollave plotësuese shqipe.
. Universitet shqiptarë
Një çështje që meriton debat serioz është edhe përfaqësimi politik i diasporës. Duke pasur parasysh kontributin historik, ekonomik dhe kombëtar të mërgatës, duhet të shqyrtohet mundësia e rezervimit të vendeve në Kuvendin e Kosovës për përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga diaspora. Një model me 5 deri në 7 deputetë do të siguronte që interesat dhe problemet e saj të trajtohen në mënyrë institucionale.
Nuk duhet harruar se pa diasporën, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot. Mërgata ka financuar rezistencën, ka mbështetur luftën çlirimtare, ka kontribuar në ndërtimin e shtetit dhe vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore ekonomike përmes remitancave dhe investimeve.
Megjithatë, edhe diaspora po lodhet. Brezat që e mbajtën gjallë lidhjen me atdheun po plaken. Nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për të afruar gjeneratat e reja me Kosovën, ekziston rreziku që lidhja emocionale të dobësohet gradualisht.
Sfida më e madhe e Kosovës nuk është vetëm ruajtja e lidhjes me diasporën e sotme, por fitimi i zemrave dhe mendjeve të diasporës së nesërme. Kjo kërkon vizion, strategji dhe veprime konkrete.
Prandaj pyetja nuk është vetëm pse diaspora voton më shumë për LVV-në. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë po bëjnë të gjitha partitë politike dhe institucionet e Kosovës për të mos humbur gjeneratat e ardhshme të diasporës shqiptare?
Sepse diaspora nuk është thjesht një elektorat. Ajo është një pjesë e pandashme e kombit shqiptar, një nga asetet më të çmuara të Kosovës dhe një forcë që edhe sot vazhdon të japë kontribut të jashtëzakonshëm për të ardhmen e vendit” – përfundon ai për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


