Gjatë muajve të fundit, një grup i vogël vullnetarësh të përkushtuar ka arritur të evakuojë më shumë se 600 të sëmurë nga zonat e luftimeve të ashpra në rajonet lindore të Ukrainës. Zërit të Amerikës bisedoi me disa vullnetarë në qytetin ukrainas të Çernivtsit.
Një pedagog i gjuhës frënge po udhëton në autostradën Lisiçansk-Bakhmut në Ukrainën lindore. Ihor Lohvinov ka dhënë mësime në internet për studentët e tij që nga pranvera e vitit të kaluar.
“Në mes të evakuimeve, kemi katër orë të lira, kështu që po bisedoj me studentët në internet”, thotë ai.
Profesori i gjuhës frënge nuk merret vetëm me mësimdhënien në internet, por edhe me koordinimin e disa autobusëve që udhëtojnë nëpër Ukrainën lindore.
Në pesë deri shtatë ditët e ardhshme, autobusët do të ndihmojnë në evakuimin e mbi 160 njerëzve të sëmurë nga pjesët më të rrezikshme të Ukrainës lindore.
Suksesi i evakuimit është një mrekulli logjistike. Ekipi ka një numër telefoni në mënyrë që të evakuuarit të mund të telefonojnë, të japin adresën e tyre dhe shtohen në listën e të evakuuarve. Por për disa njerëz, është tepër vonë.
“Kur mbërritëm në pikën e evakuimit, u vonuam pak. Disa nga shtëpitë ishin të shkatërruara. Nuk e dimë se çfarë ndodhi me njerëzit që jetonin aty. Pasi mbërritëm në adresën që kishim, aty pamë një gropë të madhe të shkaktuar nga bombardimet”, thotë vullnetari Ilhor Lohvinov.
Me ndihmën e dhjetëra vullnetarëve, të sëmurët evakuohen nga qytetet e vogla dhe më pas dërgohen me autobus dhe tren në Lviv, një zonë relativisht e sigurt nga bombardimet ruse.
Shpesh, disa nga rrugët e evakuimit janë të pakalueshme dhe zoti Lohvinov duhet të gjejë rrugë alternative.
Dmytro Maksymovych u takua me zotin Lohvinov pasi u zhvendos në Çernivtsi në fillim të luftës. Maksymovych po kërkonte ndihmë për të evakuuar nënën e tij nga rajoni i Kievit. Ata pastaj krijuan një ekip.
“Një grua telefonoi dhe pyeti: ‘A mund të marrësh një person që nuk lëviz dot vetë?’ Kishte kaq shumë thirrje të tilla dhe ne gjithmonë i refuzonim. Por kur ajo tha se kjo ishte hera e dhjetë që kërkesa e saj ishte refuzuar, Ihor sugjeroi që të përpiqeshim ta evakuonim edhe këtë kategori njerëzish. Është pothuajse e pamundur të lash një person të shtrirë në shtrat, në bodrumin e një shtëpie.”
Vullnetari Dmytro Maksymovych po kërkon gjithashtu strehim për çdo të evakuuar. Për disa, ai merr me qira banesa, ndërsa të tjerët dërgohen jashtë vendit.
Tani që lufta ka hyrë në muajin e saj të gjashtë, Maksymovych planifikon të hapë qendra strehimi për këta njerëz.
“Do të fillojmë me hapjen e një qendre strehimi në rajonin e Kievit. Po kërkojmë një repart spitalor që nuk është më në përdorim, me ujë, ngrohje dhe energji elektrike. Do të gjejmë fonde për të blerë shtretër, dyshekë dhe çarçafë”, thotë ai.
Puna nuk ndalet kurrë. Zoti Lohvinov, tashmë po përgatitet për një raund të ri evakuimesh.
Ai ka njëzet e pesë adresa të konfirmuara që shtrihen në një rajon prej 3000 kilometrash./VOA