Në kohën e presionit të madh ndërkombëtar nga BE dhe ShBA, që Serbia duhet të përcaktohet për perëndimin dhe integrimin evropian, apo për lindjen dhe Rusinë, presidenti i Serbisë ka “sfiduar” hapur bashkësinë perëndimore duke deklaruar se “Qeveria e ardhshme nuk do të jetë kundër-ruse, po do të ruhet miqësia tradicionale me Rusinë”.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot para gazetarëve se “Qeveria e ardhshme nuk do të jetë kundër-ruse, po do të ruhet miqësia tradicionale me Rusinë”, shkruan “Beta” transmeton “Bota Sot”.
Në pyetjen e gazetarëve se çfarë do të jetë qeveria e ardhshme në kuptimin pro ose kundër-ruse, Vuçiq tha “Çfarë do të jetë qeveria e re, besoj se do të jetë qeveri serbe, e cila do të punojë në bashkëngjitjen e shpejtë të Serbisë në BE” tha Vuçiq , para gazetarëve në aeroportin Nikola Tesla, me rastin e promovimit të linjës nga Kina në Serbi.
Vuçiq ka fol edhe lidhur me takimet që po zhvillon me partitë parlamentare në lidhje me mandatarin e ri të qeverisë, ai shtoi se rreth konsultimeve edhe takimeve do të prononcohet pas përfundimit të tyre.
Kështu Vuçiq si duket do tentojë të vazhdojë politikën e deritashme të uljes në dy karrige, duke shprehur si synim strategjik integrimin në BE dhe në të njëjtën kohë duke ruajtur pozitën e raporteve speciale me Rusinë, përkundër kërkesave të hapura nga liderët evropian edhe amerikan se duhet vendosin në cilën rrugë do të shkojë Serbia.