Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të qëndrojë dy ditët e ardhshme për vizitë në Paris, ku do të merr pjesë në Forumin për Paqe.
Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se do të ketë takime me presidentin Emmanuel Macron, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe ndërmjetësin evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.
Megjithatë, kreu i shtetit serb nuk ka dhënë detaje nga tema e diskutimeve që ai do të ketë me zyrtarët e lartë evropianë dhe nëse do të ketë diskutime lidhur me planin franko-gjerman, teksa ka komentuar edhe tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Vuçiq: Do të takohem me Borrell e Macron
“Sot do t’ju përgjigjem shumë shkurt do të jem në Paris për dy ditët e ardhshme. Do të takohem me Borrelli, Macronin dhe disa të tjerë. Unë i kam anuluar të gjitha vizitat e mia jashtë vendit, nuk do të shkoj në Katar apo askund tjetër, por duhet të shkoj në këtë udhëtim për të folur për Kosovën. Nuk mund të përgjigjem për gjithçka që bëjnë këta njerëz, por veprimet e tyre tregojnë se ata në fakt kanë planifikuar gjithçka. Se donin incidente, konflikte dhe poshtërim të popullit serb. E shihni që ende nuk po heqin dorë nga aktiviteti i tyre i paligjshëm për targa. Se nuk mendojnë të punojnë për formimin e asociacionit. Tani është plotësisht e ekspozuar dhe e qartë për të gjithë se ajo që ka ekzistuar nga institucionet ka ekzistuar falë faktit që ne e respektojmë fjalën dhe nënshkrimin tonë. Dhe sot, kur fuqitë më të mëdha, qoftë edhe formalisht, i thërrasin të përmbushin detyrimet e tyre, ata do të tregojnë të gjitha historitë e pakuptimta të botës dhe nuk do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, sepse qëllimi i tyre i vetëm ishte të shkaktonin konflikte dhe destabilitet”, ka thënë Vuçiq.
Duke folur për marrëveshjen e Brukselit, Vuçiq tha se Serbia ka respektuar “fjalën e saj dhe se tash radhën e kanë ta bëjnë Kosova dhe Bashkimi Evropian”.
Vuçiq: Tash i takon Kosovës ta respektojë marrëveshjen për asociacionin
“Serbia nuk heq dorë dhe asnjë herë nuk e tërheq nënshkrimin e saj, por siç e dini atje ekzistojnë tri nënshkrime dhe jon një, një ka qenë i kryeministrit Daçiq, ekzistojnë edhe dy nënshkrime. Njëri është i përqafuesve shqiptarë nga Prishtina dhe një është BE. Mirë, atë nënshkrim të Daçiqit të gjithë ne në Serbi e kemi respektuar dhe kemi kryer të gjitha që është dashur t’i kryejmë. Tash është koha që këto dy palët dhe të hapen këto dy nënshkrime tjera që do të thotë të formohet asociacioni i komunave serbe… Tash është radha e juaj plotësojeni marrëveshjen e Brukselit, ndërsa për serbët nuk keni nevojë të shqetësoheni, fjala jonë deri më sot ka pasur shumë më shumë rëndësi sesa nënshkrimi i palës së Prishtinës dhe nënshkrimi i BE.
Këto komente Vuçiq i bëri në një ceremoni ku ai i ndau medalje ish-drejtorit rajonal të Mitrovicës Veriore Nenad Gjuriq, dhe Aleksandar Filipoviq, ish-shef i operativës së Policisë së Kosovës në veri, të cilët u suspenduan nga puna nga autoritetet e Kosovës pasi refuzuan të zbatojnë vendimet për targat ilegale serbe.