Së fundi, Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”, e ka vërtetuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më saktë Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktvendimin e ankimuar sipas pretendimeve ankimore, por edhe sipas detyrës zyrtare në drejtim të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës dhe ka konstatuar se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, apo shkelje tjera e të cilët do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit dhe se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për refuzimin e kërkesave për hedhjen e akuzës dhe kundërshtimeve ndaj provave të paraqitura nga mbrojtësit”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Kjo aktakuzë e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Megjithatë, ky i fundit vazhdon të jetë në liri, derisa nuk është arrestuar ende dhe nuk dihet asgjë për të tash e një kohë të gjatë.
Ndonëse, dihet qartas se në lidhje me vendqëndrimin e tij shteti serb ka njohuri, ky i fundit refuzon ta dorëzoj kryekriminelin Radoiçiq, pavarësisht presionit që ndërkombëtarët i kanë bërë më parë.
Por, siç duket Radoiçiq ka dal në “harresë” dhe nuk po përmendet aq shumë, ndonëse veprat e tij kriminale nuk kanë zënë vend në drejtësi.
Pse nuk po ka presion të vazhdueshëm apo më të rreptë të ndërkomëbtarëve ndaj Serbisë, ku mund të gjendet Radoiciqi dhe si do veprohet me rastin “Banjska” për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve juridike.
Bajraktari: Tashmë është konfirmuar aktakuza dhe rrjedhimisht duhet të vazhdohet tutje me procesin gjyqësor
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.

Si fillim, ai tha se pas konfirmimit të aktakuzës së rastit “Banjska” duhet të vazhdohet gjykimi dhe të pritet si do i qasen këtij procesi personat e përfshirë.
“Sa i përket këtij rasti, tashmë është konfirmuar aktakuza dhe rrjedhimisht duhet të vazhdohet tutje me procesin gjyqësor.
Natyrisht mbetet të shihet se si do t’i qasen këtij procesi për faktin se siç dihet pjesa dërmuese e të akuzuarve nuk do të mund të sillen në gjykatë për t’u ballafaquar me akuzat”, deklaroi ai.
Po ashtu, avokati theksoi se pavarësisht se mungon kryekrimineli Radoiçiq, procesi gjyqësor duhet të vazhdohet me ata që janë në paraburgim dhe të shqyrtohet mundësia për gjykim në mungesë.
“Njëra nga mundësitë është që të bëhet veçimi i procedurës që procesi të vazhdohet me ata që aktualisht ndodhën nën masën e paraburgimit, kurse për të tjerët, të shikohet mundësia e zhvillimit të procedurës së gjykimit në mungesë, ndonëse është shoqëruar me disa paqartësi në lidhje me kualifikimin e veprave penale që aktualisht janë të akuzuar, se a do të mund të zhvillohet apo jo gjykimi në mungesë”, përfundoi Ardian Bajraktari për “Bota sot”.
Burjani: Vuçiq e ka lokacionin e tij, por nuk e tregon

Kurse, juristi Blerim Burjani deklaroi se Aleksander Vuçiq e ka lokacionin e Milan Radoiçit, por nuk e tregon atë.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tregoi se pse nuk e bën një gjë të tillë presidenti serb.
“Vuçiq e ka lokacionin e tij, por nuk e tregon. Vetëm presioni i madh mund ta detyrojë shtetin serb ta dorëzojë Radoiçiqin, e kjo nuk do të ndodhë që Vuçiq ta bëj këtë dorëzim tek organet e Kosovës”.
Krahas kësaj, u shpreh se askush nuk e ka harruar kryekriminelin serb, por që nuk po merren shumë me këtë temë, pasi kanë ndodhur disa zhvillime.
Në këtë pikë, juristi përmendi edhe ndryshimet gjeopolitike që po ndodhin në botë.
“Askush nuk e ka harruar Radoiçiqin, por problemi është te shteti serb, i cili nuk dëshiron në këtë kohë shumë të pavolitshme për presidentin serb, të merret me këtë punë. Vuçiq ka probleme me protesta dhe më nuk ka siguri regjimi i tij totalitar.
Pra, arsyet janë që bota politka është përqendruar në Ukrainë njëherë, e dyta lufta tregtare e Trump me të gjithë po e komplikon aleancën euroatlantike, në kuptimin tregtar dhe ndërhyrja për paqe në mes Rusisë e Ukrainës”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info