“Paradoksi është se gjermanët do të hapin diskutimin për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Që Gjermania pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, të na gjykojë neve me fjalën e hapjes”, kështu e ka shprehur Vuçiqi, nervozizmin e tij pasi nuk pati sukses në tentimin e tij të sjellë në lajthitje gjithë kombet botërore me pretendimin se në Srebrenicë “nuk ka pasur gjenocid”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhet në Nju Jork, ku ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e përhershëm të shteteve anëtare në Kombet e Bashkuara.
Të enjten, më 23 maj, ai do të marrë pjesë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku do të shqyrtohet propozimi për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.
Në fillim të fjalës së tij nga Nju Jorku, ai ka thënë se “ka marrë informacione zhgënjyese se disa vende do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për rezolutën dhe do të dalin me ata që janë të mëdhenj dhe të fortë, por do të ketë edhe nga ata që do t’i rezistojnë presionit dhe të luftojnë “për të vërtetën”. Ai iu referua gjithashtu rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, i cili u konfirmua edhe nga gjykatat ndërkombëtare.
“Kemi marrë informacione, do të ketë lajme zhgënjyese për qëndrimin e disa vendeve nga të cilat nuk e kemi pritur thikë pas shpine, por do të ketë edhe nga ata që “do t’i rezistojnë presionit”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se beson se shumica që do të votojnë për rezolutën do të arsyetohen dhe do të shpjegojnë se po e bëjnë për të mirën e Serbisë.
“Do të përsërisin tregimet e kota se nuk është faji kolektiv i popullit serb dhe se ata i duan serbët etj., dhe pastaj prisni nga e premtja dhe e shtuna përpjekje për të qetësuar situatën – serbët janë miqtë tanë më të mirë dhe le të vazhdojmë si sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka shtuar se ka rreth dhjetë vende që nuk mund t’i shpjegojnë vetes dhe askujt tjetër pse do të votojnë dhe do të dalin kundër miqve serbë, përveç se janë shërbëtorë të disa më të mëdhenjve.
“Gjermanët do të hapin Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së si “paradoksi më i theksuar”. Sa i çuditshëm është fati, ndaj ndodh që Gjermania të na gjykojë edhe pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Unë do të përgjigjem, kjo është shumë e vështirë për mua dhe e kuptoj shumë mirë. E shoh se si disa tashmë po flasin për atë se çfarë do të bëjnë në qeverinë e ardhshme, sepse kuptohet që do të jenë kukulla dhe do t’u shërbejnë atyre që e miratojnë rezolutën kundër Serbisë. Unë nuk do të pajtohem me këtë, por do të luftoj për Serbinë”, lavdërohet Vuçiqi para publikut të brendshëm.
Që nga përmendja e parë e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiq ka udhëhequr një propagandë të ashpër të mohimit të gjenocidit dhe fushatës që rezoluta të mos miratohet, shpesh duke përdorur terma që nuk janë në Rezolutë, si për shembull etiketimi i të gjithë serbëve si fajtor për gjenocidin e kryer. Propagandë e ngjashme po përhapet në Bosnje dhe Hercegovinë nga kryetari i Republikës Serbe, Millorad Dodik.
Burimi: botasot.info