Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot pasdite në Bruksel të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Ai tha se me diplomatin sllovak folën “për të qetësuar tensionet në terren”.
“Kam folur me Miroslav Lajçak për raundin e fundit të bisedimeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mënyrat për të qetësuar tensionet në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë, si dhe për zbatimin nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, shkroi Vuçiq në Instagram.
Bisedimet në Bruksel në nivel të negociatorëve kryesorë përfunduan pa takim të drejtpërdrejtë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq i cili ndodhet në Bruksel, sonte do të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.