Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë parakaluar ditë më parë në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedor, më sa duket pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnje e Hercegovinës. Rreth një javë më parë Zheljko Komshiç, zyrtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) reagoi në Facebook duke thënë se “duhet të mësohet menjëherë se kush e ka lejuar ushtrinë serbe të hyjë në territorin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës”. “Presidenca e BiH nuk e bëri këtë. A e bëri Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të mësohet menjëherë.Nëse nuk ishte as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni,” tha Komshiç, i cili është përgjegjës për politikë të jashtme dhe siguri. Reagime të ashpra erdhën edhe nga politikanë të tjerë, që mesa duket kanë arsye të jenë të alarmuar. Nuk është e pranueshme për ta, që presidenti serb Aleksandër Vuçiç e konsideron një pjesë të BiH si territor të vetin. Dhe situata, duket se përkeqësohet, kur tek lideri serb nuk shihen shenja pendese, as për veprimet dhe as për deklaratat.
Përplasjet me politikanët e BiH
Tenativa për vrasjen e ish-Presidentit amerikan Donald Trump është pasojë e demonizimit të personazheve nga mediat. Këtu e gjen fajin Presidenti serb Aleksandër Vuçiç për atë që ndodhi në SHBA, teksa përpiqet që atentatin ta përdorë për politikat dhe propagandën e tij. Ai tha sot se nuk duhet habitur nga deklaratat e politikanëve nga Bosnja dhe Hercegovina (BiH) për Serbinë, duke theksuar se “këta janë njerëz që thonë se serbët kanë kryer katër gjenocid deri më tani”.
Vuçiq e tha këtë në përgjigje të kërkesës së një gazetari për të komentuar deklaratën e politikanit boshnjak Ramiz Salkiç, i cili tha se Serbia nuk do t’i ndalë kurrë pretendimet e saj territoriale ndaj Bosnjë-Hercegovinës. “Këta janë njerëz që thonë se serbët kanë kryer katër gjenocid deri më tani. Serbët janë gjithashtu fajtorë për krimet në Luftën e Dytë Botërore të shkaktuara nga NDH dhe Divizioni Hadžar, si një nga forcat goditëse të NDH-së. Edhe pse tashmë jeni mësuar me të gjitha, nuk e di pse jeni të habitur”, tha Vuçiç.
Ai vuri në dukje edhe librin e Kryetarit të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviç, titullin e të cilit e parafrazoi si “pretendime territoriale të Serbisë ndaj Bosnje-Hercegovinës”.
Justifikimet e Vuçiç
Ai vazhdoi replikat në distancë me politikanët e Bosnje dhe Hercegovinës që e akuzojnë Serbinë për pretendime territoriale dhe për kryerjen e gjenocidit në luftrat e fundit. Madje, akuzat e boshnjakëve i konsideroi nxitje për ta vënë atë në shënjestër të atentateve. “Kur të thonë se po të dënon Allahu, thonë se është deklaratë fisnike, që në fakt fajin e ka vetë ai që është shënjestër të atij sulmi. Kur të thonë se fëmijët e tu duhet të vriten me uranium, nuk është faji i atij që e tha këtë, por duhet të ngrihemi për mbrojtjen e të tillëve, ai që duhet vrarë me uranium të varfëruar apo çfarëdo qoftë, duhet dënuar”, u shpreh Vuçiç.Vuçiç pretendoi se pothuajse kurrë nuk sulmon askënd dhe se gjithnjë e më shumë po vihen në shënjestër liderë liridashës në mbarë botën për shkak të narrativës së mediave dhe politikanëve që i konsideroi autoritarë.
Marshimi në Prijedor
Me rastin e marshimit, presidenti i Serbisë, Aleksandz137r Vuçiç, tha se Serbia “i ka respektuar të gjitha procedurat”. “Ky është viti i tetë që shkojnë dhe nuk ka qenë kurrë problem, e tani është problem”, tha Vuçiç për Televizionin Pink të Serbisë. Përveç në Kozarë, ku u përkujtua përvjetori i një beteje të vitit 1942, kadetët parakaluan edhe në qytetin Prijedor.
Në këtë qytet, gjatë luftës së viteve ’90, u vranë më shumë se 3.100 njerëz të kombësive joserbe. Në paradë morën pjesë edhe ministri serb i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Nemanja Staroviq, dhe sekretari shtetëror në atë ministri, Zoran Antiq. Opozita në Bosnje e Hercegovinë kërkoi mbajtjen e një seance të posaçme të Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës për hyrjen e kadetëve të Ushtrisë së Serbisë në territorin e vendit.
Burimi: botasot.info