VSCO – platforma për editim fotosh dhe videosh, ka lançuar Canvas, një “moodboard” (pllakë inspirimi) bashkëpunues me inteligjencë artificiale (AI), që synon të ndihmojë fotografët dhe artistët në procesin krijues, shkruan Tech Crunch.
Canvas lejon importimin dhe editimin e fotove me mjetet standarde të VSCO, si ndriçimi, ekspozimi, nuanca apo turbullimi. Me ndihmën e AI, përdoruesit mund të gjenerojnë imazhe përmes komandave me tekst, të zëvendësojnë pjesë të imazheve, ose të krijojnë variacione të reja përmes rrëshqitësve që kontrollojnë intensitetin e ndryshimeve.
Moodboard-i mund të ndahet me të tjerët brenda një projekti, duke mundësuar bashkëpunim dhe zhvillim idesh në disa versione. CEO i VSCO-së, Eric Wittman, tha se Canvas synon të zëvendësojë mjete si Google Slides apo Pinterest, që përdoren zakonisht nga fotografët për të paraqitur ide te klientët.
Canvas bazohet në teknologjinë e startup-it Facet, të cilin VSCO e bleu vitin e kaluar. Gjatë fazës testuese, mbi 84% e përmbajtjes u gjenerua me AI, dhe kompania thotë se reagimet kanë qenë pozitive. Përdoruesit do të mund të importojnë edhe foto nga arkiva e VSCO.
Shërbimi është i hapur për të gjithë, por abonentët me pagesë përfitojnë më shumë kredi për përdorimin e AI-së.
Burimi: botasot.info