Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përplasja me armë zjarri që tronditi kryeqytetin grek të shtunën në mbrëmje dhe që përfundoi me tre shtetas shqiptarë të vrarë dhe dy policë të plagosur.
Një dëshmitar, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes ka përshkruar me detaje masakrën e ndodhur në qendër të Athinës, ku 48 vjeçari i njohur me emrin Andon Tefi, i njohur edhe me emrin Adil Tefi, qëlloi dhe vrau dy nga anëtarët e një grupi tjetër rival në tregun e narkotikëve, para se të qëllohej për vdekje nga policia greke.Ai ishte i tërbuar, gjuante pa pushim dhe në të gjitha drejtimet”, shprehet dëshmitari për agresorin. Sipas tij, teksa autori ndodhej në një makinë tip Mercedez Benz, u shfaqën dy automjete të tjera dhe një motor. Njëri prej tyre iu afrua dritares së 48-vjeçarit dhe e goditi me grusht.
Në këtë moment Tefi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të personit që drejtonte motorin dhe më pas ka qëlluar edhe në drejtim të njërës prej makinave të tjera duke vrarë një prej pasagjerëve.
Dëshmitari okular flet për tërbimin e Tefit, i cili shprehet se “derisa ka hipur në makinën tjetër që e ka marrë në rrugë nën kërcënimin e armës ka vazhduar të gjuajë në të gjitha drejtimet, pa llogaritur asgjë”.
Pas aktit ai ka tentuar të largohet nga vendngjarja, duke marrë nën kërcënimin e armës një makine tip “Toyota” nga një qytetar grek.
Mediat greke shkruajnë se Tefa ka grabitur me armë një pikë karburanti dhe më pas një kafene. Policia i ka bërë thirrje të dorëzohet, por ai ka qëlluar drejt tyre duke plagosur 2 prej tyre. Oficerët e policisë i janë kundërpërgjigjur zjarrit duke e qëlluar 48-vjeçarin për vdekje.
Hetuesit e policisë greke janë të bindur që ngjarja ka të bëjë me larje hesapesh mes bandave të drogës, kjo pasi 48-vjeçari Tefi ishte një emër i njohur për autoritete dhe i skeduar më parë për drogë, ndërsa ishte pjesë e organizatave kriminale.
Për policinë greke, ai konsiderohej si një nga kriminelët më të ashpër në Athinë, pasi ishte i pamëshirshëm dhe lëvizte gjithmonë i armatosur. Kjo u pa qartë edhe nga mënyra se si ai qëlloi fillimisht 23-vjeçarin që lëvizte me motor gjatë sherrit dhe ekzekutoi tepër ftohtë 46-vjeçarin Armando Lamajn.