Gjykata e Tiranës ka dënuar me 18 vite burg të riun Axel Hoxhaj, i cili gjatë një konflikti fizik vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, Stiven Toshkesi. Ngjarja kriminale ndodhi në Prill të 2023 në kryeqytet.
Fajtor për moskallëzim krimi është cilësuar nga gjykata edhe Ensi Maze, miku i Hoxhajt pjesëmarrës në konfliktin fatal, që siç rezultoi nga hetimi kishte nisur për ngacmimin e një vajze.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, ky konflikt edhe pse për motive të dobëta, kishte angazhuar dy grupet shoqërore të të pandehurit dhe viktimës, në gjetjen e informacioneve dhe vendndodhjes së njëri-tjetrit.
Me gjithë angazhimin e tyre, takimi në mesnatën e 18 Prillit të 2 viteve më parë, është konsideruar nga gjykata si rastësor.
Sipas raportimeve, Axel Hoxhaj dhe Ensi Maze kishin patur hesape (të paktën kështu cilësohet nga ata) me Stiven Toshkesin. Ata ishin konflikuar edhe më herët për të dashurën e viktimës, e cila kishte rënë pre e ngacmimeve të vazhdueshme nga autori Axel Hoxhaj. Për këtë arsye, Toshkesi ishte konfliktuar edhe më herët me të dy. Pak pas mesnate (18 prill), dy të rinjtë kanë pritur sapo viktima të mbaronte punën dhe e kanë goditur me thikë, e cila fatkeqësisht rezultoi fatale.
Burimi: botasot.info