Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste mbajti sot një takim në Tiranë me koordinatorët e kësaj partie në 12 qarqe dhe kryebashkiakët socialistë.
Në takimin me kryeministrin Rama, skuadra e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e bashkive diskutuan organizimin ndërsa kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Rama përcolli pamje nga takimi me Bordin Kombëtar të PS për Diasporën.
“Organizim, angazhim, energji fitoreje”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ndau momente nga takimi ndërsa njoftoi se ” me mundësimin e votës së diasporës kemi përpara një organizim të ri elektoral, për të cilin na duhet një punë e jashtëzakonshme dhe një koordinim më i gjerë”.
Sipas tij, PS është një parti e madhe dhe forca e vetme transformuese për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian
Vendosja në fokus e diasporës vjen pasi për herë të parë, me ndryshimet në kodin zgjedhor, diaspora do të votojë me votë dërguar me postë.