Gjykata Kushtetuese ka shpallur se në zgjedhjet e 25 prillit 2021 është cënuar e drejta e emigrantëve për të votuar.
Kushtetuesja i dha pjesërisht të drejtë shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” duke vendosur se për shkak të boshllëkut ligjor është cënuar e drejta kushtetuese e votës së emigrantëve.
Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese urdhëron Parlamentin që brenda një viti të plotesojë këtë boshllëk ligjor për të mundësuar votën e emigrantëve.
Sipas kodit zgjedhor çdo emigrant mund të votojë, por duhet të kthehet në Shqipëri për të ushtruar të drejtën e votës.
Nga ana tjetër me marrëveshjen e 5 qershorit në kod u shtuan disa nene që mundesonin votën e emigrantëve aty ku jetojnë, por ato nuk u zbatuan për shkak të kohës së kufizuar nga miratimi i ligjit deri në zgjedhje.
Megjithatë kur të publikohet vendimi i arsyetuar do të kuptohet se çfarë kërkon saktësisht Gjykata Kushtetuese në lidhje me votën e emigrantëve.