Sot në stadiumin e qytetit në Strugë u zhvillua takimi miqësor midis ekipit të Voska Sport dhe Elbasanit nga Shqipëria.
Ndeshja në fjalë i takoi skuadrës nga vendi ynë, Voska Sport (3:1), skuadër kjo që edicionin e ri do të luaj në Ligën e Parë të Maqedonisë, derisa Elbasani, pas disa viteve rikthehet të luaj në Ligën e Parë shqiptare.
Që të tre golat për Voska Sport erdhën nga futbollistë të transferuar gjatë kësaj merkatoje, që dëshmon për superioritetin e tyre. Vlen të theksohet në veçanti goli i parë i shënuar nga nigeriani, Sikiru Olatunbosun, të cilin së shpejti skuadra shqiptare nga Ohri pritet ta prezantojë si një ndër përforcimet e radhës.
Olatunbosun hapi serinë e golave në këtë takim, kur në mënyrë të shkëlqyeshme ekzekutoi një goditje dënimi nga rreth 20 metra.
Në vazhdim të pjesës së parë, regjistruam edhe dy gola të tjerë, nga një në secilën anë, teksa për Voska Sport realizoi malazezi, Aleksa Marushiç.
Kështu me rezultatin 2:1 në favor të skuadrës së Voska Sport, skuadrat shkuan në pushim, derisa pjesa e dytë ishte më e varfër, sa u përket rasteve, por edhe golave të shënuar.
Edhe në këtë pjesë në listën e golashënuesve për Voska Sport u regjistrua Aleksa Marushiç, që njëherit vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Voska Sport 3, Elbasani 1.
Ndeshjen e rradhës skuadra e Voska Sport do ta zhvillojë me 30 korrik kundër skuadrës së Fushë Kosovës.