Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Leyen, ka bërë të ditur që do të bëjë një vizitë në rajon.
Ajo sot (më 23 tetor) po qëndron në Tiranë, në ndalesën e parë të turneut të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Ndërsa në kuadër të këtij njoftimi është bërë me dije që të shtunën e 26 tetorit presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pritet të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Derisa vizita ishte konfirmuar ditë më parë, KE tashmë ka bërë të ditur agjendën.
Presidentja e Komisionit Evropian pritet të mbajë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Mirëpo, të gjendur tek kjo vizitë a mund që Ursula von Leyen të sjellë ndonjë lajm për heqjen e masave ndaj Kosovës, apo do të vazhdojë tutje me shtimin e tyre siç ka paralajmëruar një zëdhënëse e BE-së?
Batusha: Kosova ka përmbushur kërkesat, BE duhet të largojë masat
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Agon Batusha.
Ai thotë se kjo vizitë është e mirëseardhur pasi do të diskutohet agjenda evropiane për Kosovën.
“Një vizitë shumë e mirëseardhur, ku do të diskutohet agjenda evropiane për Kosovën. Kosova ka bërë progres substancial në përmbushjen e reformave që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane dhe rezultatet që janë arritur besoj që janë shtyse që Kosova të përparoj në rrugën e integrimit”, u shpreh ai.
Më tej, deputeti përmend masat e BE-së të cilat janë të vendosura në mënyrë të padrejtë, mirëpo që kërkesat e BE-së janë realizuar nga Kosova dhe vendimi për t’i larguar i takon Këshillit të BE-së.
“Natyrisht, të gjitha temat që kanë të bëjnë me raportet e Kosovës me BE-në do të diskutohet, ku kjo e fundit nuk ka arsye të mbajë në fuqi masat që janë vendosur në mënyrë të padrejtë dhe që të gjitha kërkesat e BE-s për heqjen e masave janë realizuar nga Kosova. Vendimi i përket Këshillit të BE-së, andaj ne do të kërkojmë heqjen e tyre dhe avancimin e statusit të Kosovës si shtet kandidat për në BE”, foli Batusha për “Bota sot”.
Shabani: Presioni nga BE-ja do të vazhdojë
Ndërsa deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të jetë një moment i rëndësishëm për të forcuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Deputeti më tej thekson që pritshmëritë nga kjo vizitë përfshijnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional midis BE-së dhe Kosovës.
“Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të jetë një moment i rëndësishëm për të forcuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në takimet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, temat kryesore do të jenë përparimi i reformave, perspektiva evropiane e Kosovës dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Kjo vizitë është gjithashtu një mundësi për të diskutuar çështjet e fundit që kanë prekur raportet Kosovë-BE, si dhe tensionet në veri të vendit.
Pritshmëritë nga kjo vizitë përfshijnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional midis BE-së dhe Kosovës. Ndërkohë, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet e brendshme politike dhe përparimin në proceset e reformave. Një tjetër aspekt është presioni për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara”, shpjegoi deputeti.
Ndër tjera Shabani shprehet skeptik nëse mund të largohen masat ose mund të kemi ndonjë lajm të mirë për ato në këtë vizitë.
“Nga sa duket, presioni nga BE-ja do të vazhdojë për shkak të shqetësimeve lidhur me moskoordinimin e duhur të qeverisë me politikën evropiane”, foli ndër tjera deputeti.
“Deri më tani, deklaratat nga zyrtarë të BE-së tregojnë për një qasje më të ashpër ndaj Kosovës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri dhe moskoordinimit me politikën e përbashkët evropiane. Ndonëse është e vështirë të parashikohet heqja e masave në këtë vizitë, ka mundësi që presioni mbi qeverinë e Kosovës të vazhdojë, nëse nuk ka përparime të dukshme në dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Nga sa duket, presioni nga BE-ja do të vazhdojë për shkak të shqetësimeve lidhur me moskoordinimin e duhur të qeverisë me politikën evropiane. Edhe pse BE-ja kërkon një qasje më të qartë dhe të koordinuar në dialogun me Serbinë dhe reformat e brendshme, heqja e masave mbetet e lidhur me përparimin konkret në këto fusha”, përfundoi deputeti Shabani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info