Zhvillimi i shpejtë i teknologjive të baterive në epokën e automjeteve elektrike, u kujton shumë njerëzve rritjen shpërthyese të procesorëve kompjuterikë gjatë viteve të 90-ta.
Megjithatë, paralelisht me këtë, lind pyetja: çfarë të bëjmë me bateritë nga automjetet elektrike të përdorura apo të skrapuara?
Industria e automobilave ka vite që kërkon zgjidhje – nga hapja e impianteve të riciklimit të baterive deri te projektet në të cilat bateritë e përdorura të veturave elektrike ripërdoren për sistemet e ruajtjes së energjisë.
Sisteme të tilla deri më tani janë specializuar dhe përdorur pothuajse ekskluzivisht në industrinë e automobilave, dhe jo si produkte të disponueshme për tregun më të gjerë. Por kjo po ndryshon tani.
Volvo Energy, një divizion brenda Grupit Volvo (kamionë, autobusë), ka prezantuar një produkt të ri të quajtur PU500 – një sistem i ruajtjes së energjisë bazuar në bateri (BESS).
Në thelb, është një zgjidhje që duket si një bateri gjigante e jashtme për iPhone, por e krijuar për të karikuar kamionët elektrikë dhe makineritë e ndërtimit.
PU500 ka një kapacitet midis 450 dhe 540 kWh dhe mund të funksionojë plotësisht në mënyrë të pavarur nga rrjeti elektrik – për shembull, në kantiere ndërtimi të largëta. Mund të lidhet edhe me rrjetin për karikim më të ngadaltë.
Ai është i pajisur me një karikues të integruar 240 kW DC, që do të thotë se mund të karikojë shpejt automjetet elektrike ose të fuqizojë objekte mobile si kontejnerët.
Megjithatë, është projektuar kryesisht për karikimin e makinerive të rënda të ndërtimit dhe kamionëve, në vende që nuk kanë një infrastrukturë të integruar të energjisë elektrike.
“PU500 me karikuesin e integruar CCS2 është projektuar për të punuar me të gjitha markat e pajisjeve elektrike, kamionëve dhe veturave të pasagjerëve”, tha Niklas Tulin, shefi i BESS në Volvo Energy.
Edhe pse të kesh një pajisje të tillë në shtëpi do të ishte e tepërt, PU500 do të ishte ideale për të fuqizuar një ekskavator elektrik në një kantier ndërtimi pa një lidhje të qëndrueshme të energjisë.
Në të ardhmen, një sistem i tillë mund të shërbejë edhe si mbështetje emergjente energjetike për flotat e automjeteve elektrike, të tilla si ato të përdorura nga shërbimet e shpëtimit, në mënyrë që bateritë të mund të rimbushen shpejt në rast të ndërprerjes së energjisë në bazat e tyre.
Volvo Energy thotë se një PU500, mund të karikojë deri në 20 vetura elektrike në ditë ose një kamion të rëndë në afërsisht një orë e gjysmë.
“PU500 është një zgjidhje e besueshme, e adaptueshme dhe efikase e krijuar për nevojat e bizneseve dhe industrive që kërkojnë një burim fleksibël energjie”, tha Elizabeth Larson, drejtoreshë e shitjeve dhe shërbimeve në Volvo Energy.
Në kantieret e ndërtimit, gjeneratorët me naftë përdoren më së shumti për këto nevoja, por ata nuk janë idealë për karikimin e kamionëve të mëdhenj, sepse nuk mund të prodhojnë energji të mjaftueshme në një periudhë të shkurtër kohore.
Këtu BESS, me karikuesin e tij 240 kW, ka një avantazh kryesor.
Kushti i vetëm? Do të nevojiten shumë kamionë dhe makineri të tjera ndërtimi elektrike, përfundon Volvo, do të marrë pak kohë.
Burimi: botasot.info