Operatorët e telefonisë celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, kanë rinovuar autorizimet individuale për frekuencat që patën blerë nga ish-operatori, Plus Communications. Nga rinovimi i të drejtave të përdorimit për 15 vite të tjera, buxheti i shtetit ka përfituar gjithsej 10.9 milionë euro.
Si në rastet e mëparshme, procesi i rinovimit është bërë në mënyrë konfidenciale, me negociata direkte mes operatorëve dhe një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas marrëveshjes mes palëve, Vodafone Albania ka rënë dakord të paguajë rreth 8.03 milionë euro për një sasi spektri prej 4 MHz në brezin 900 MHz dhe për një sasi spektri prej 9 MHz në brezin 1800 MHz.
Operatori tjetër, One Albania, ka rënë dakord për një pagesë në vlerën e 2.87 milionë eurove për një sasi spektri prej 4 MHz në brezin 900 MHz.
Vodafone Albania e ka shlyer të plotë me një këst pagesën për frekuencat, ndërsa One Albania ka shlyer 50% të pagesës dhe sipas aktit të dakordësisë do të shlyejë këstin e dytë brenda datës 30 mars 2025.
Autorizimet për këto frekuenca ishin dhënë në vitin 2009, kur u licencua operatori i katërt celular, ndërsa afati 15-vjeçar përfundoi këtë vit.
Pasi Plus vendosi të ndërpresë aktivitetin, në vitin 2017, ajo arriti një marrëveshje për transferimin e disa prej frekuencave që kishte në përdorim me dy operatorët e tjerë, Vodafone Albania dhe Telekom Albania (sot One Albania).
Ndërkohë, në fund të muajit nëntor, AKEP miratoi zyrtarisht dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3.5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania dhe Vodafone Albania, duke i hapur rrugën implementimit për herë të parë të teknologjisë 5G në Shqipëri.
Sipërmarrësi ONE Albania ka marrë në përdorim 120 MHz në brezin e frekuencave 3420-3540 MHz, ndërsa Vodafone Albania po 120 MHz në brezin 3680-3800 MHz.
Të dy operatorët paraqitën paraqitur oferta në vlerën minimale të kërkuar nga rregullorja e tenderit, me 5 milionë e 436 mijë euro secili, për një total prej 10.87 milionë eurosh.
Ashtu siç pritej, në tender u paraqitën oferta vetëm nga dy operatorët celularë ekzistues.
Në përputhje me kushtet e Autorizimeve Individuale, sipërmarrësit janë të detyruar që, përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030. Brenda vitit 2025, sipërmarrësit kanë detyrimin të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike.
Në total, nga procesi i rinovimit të autorizimeve për brezat 900 dhe 1800 Mhz, si edhe nga dhënia e frekuencave të reja 5G, buxheti i shtetit ka përfituar gjithsej 21.8 milionë euro.
/Monitor
Burimi: pcworld.al