Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Posta (AKEP) njoftoi ditën e sotme se ka dhënë për përdorimit frekuencat e teknologjisë 5G për Vodafone Albania dhe One Albania. AKEP hapi zyrtarisht me 2 Shtator tenderin për dhënien e frekuencave 5G. Më 17 Tetor u bë hapja e ofertave, një proces i cili u ndoq me dyer të mbyllura.
Shqipëria, Bosnje & Hercegovina dhe Serbia janë vendet e vetme të cilat ende nuk kanë implementuar teknologjinë 5G përkundër vendeve të Ballkanit Perëndimor i Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Vodafone Albania dhe One Albania do të përdorin frekuenca 3.5-3.8Ghz për ofrimin e shërbimeve 5G siç njihet ndryshe sub-6Ghz. Janë frekuenca ideale për shpejtësi dhe transmetim në distanca të mesme. Teknologjia 5G është ofruar në SHBA dhe Europë në frekuencat 700Mhz dhe 28000Mhz njohur si mmWave me shpejtësi gigabitëshe. Operimi i 5G në frekuenca 3.5-3.8Ghz do të sjellë shpejtësi deri në 900Mbps në smartfonët tanë.
Njoftimi i AKEP
Me vendimet nr. 29 dhe nr. 30, të datës 25 nëntor 2024, Këshilli Drejtues i AKEP-it miratoi dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania sh.a dhe Vodafone Albania sh.a.
Sipërmarrësi ONE Albania sh.a merr në përdorim 120 MHz në brezin e frekuencave 3420-3540 MHz (spektër i paçiftuar), ndërsa Vodafone Albania sh.a merr në përdorim po 120 MHz në brezin 3680-3800 MHz, spektër i paçiftuar.
Pajisja e sipërmarrësve me autorizimet individuale kryhet pas realizimit me sukses të tenderit publik me procedurë të hapur me objekt: “Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 3400 – 3800 MHz (3.5 GHz)” dhe pas shlyerjes, nga ana e sipërmarrrësve fitues, të pagesave përkatëse në buxhetin e shtetit dhe në llogarinë e AKEP-it.
Në përputhje me kushtet e Autorizimeve Individuale, sipërmarrësit janë të detyruar që, përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030. Brenda vitit 2025, sipërmarrësit kanë detyrimin të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike. Mes kushteve të tjera të përdorimit të këtyre frekuencave, sipërmarrësit ONE Albania dhe Vodafone Albania marrin përsipër angazhimin që të negociojnë me sipërmarrës të tjerë, si operatorët virtualë (MVNO-të), aksesin në kapacitetet e tyre radio, në funksion të politikës rregullatore të AKEP-it për të nxitur konkurrencën në nivel shërbimesh.
Lançimi i teknologjisë 5G brenda këtij viti shënon një etapë kyçe për vendin tonë në përmbushjen e agjendës digjitale, sipas planit broadband të Këshillit të Ministrave dhe objektivave të Bashkimit Europian. Në dhënien e autorizimeve në brezin 3400-3800 MHz, njërin nga brezat pionerë të 5G-së, Shqipëria ka ndjekur nga afër ecurinë dhe ritmin e Bashkimit Europian, ku Mbretëria e Vendeve të Ulëta ishte shteti i fundit anëtar që akordoi në korrik të 2024-ës autorizimet e përdorimit në këtë brez.
AKEP-i mbetet i përkushtuar të vendosë sa më parë, në përdorim të sektorit të komunikimeve elektronike brezin 700MHz, brezin tjetër kryesor të 5G-së, pas lirimit të tij nga mediat audiovizuale, me synim mbulimin e plotë të territorit dhe të popullsisë me shërbim cilësor 5G.
Burimi: pcworld.al