Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha të premten se qeveria e tij do të bëjë përpara me ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Finlandës në NATO, duke i hapur rrugën këtij vendi për t’iu bashkuar bllokut ushtarak, përpara Suedisë.
Përparimi u shënua gjatë një vizite në Ankara të Presidentit finlandez Sauli Niinisto ku u takua me homologun turk Erdogan. Si Finlanda ashtu edhe Suedia aplikuan për t’u bërë anëtarë të NATO-s 10 muaj më parë, vetëm pak kohë nga nisja e sulmit rus në Ukrainë.
NATO kërkon miratimin unanim të 30 vendeve anëtare të saj për t’u zgjeruar dhe Turqia dhe Hungaria janë të vetmet që nuk i kanë ratifikuar ende protokollet e anëtarësimit të dy vendeve nordike. Qeveria turke ka akuzuar Suedinë dhe Finlandën se janë shumë të buta ndaj grupeve që ajo i konsideron si organizata terroriste, por ka shprehur më shumë rezerva për Suedinë.
“Kur bëhet fjalë për përmbushjen e premtimeve të saj në kuadër të memorandumit trepalësh të mirëkuptimit, ne kemi parë se Finlanda ka ndërmarrë hapa autentikë dhe konkretë”, tha zoti Erdogan në një konferencë shtypi në Ankara pas takimit të tij me zotin Niinisto.
“Kjo ndjeshmëri për sigurinë e vendit tonë dhe bazuar në progresin që është bërë në protokollin për anëtarësimin e Finlandës në NATO, ndaj dhe ne kemi vendosur që të fillojmë procesin e ratifikimit në parlamentin tonë”, shtoi presidenti turk.
Me marrëveshjen me zotin Erdogan, aplikimi i Finlandës tashmë mund të shkojë për miratim në parlamentin turk, ku partia e presidentit dhe aleatët e saj kanë shumicën. Ratifikimi pritet përpara se Turqia të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për në 14 maj.
Duke komentuar gatishmërinë e Turqisë për të shqyrtuar ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Suedisë në NATO, zoti Erdogan tha se kjo do të “varet nga hapat e fortë që do të ndërmarrë Suedia”.
Duke shpjeguar ndryshimin mes dy vendeve nordike nga këndvështrimi i Ankarasë, zoti Erdogan pretendoi se Suedia kishte “përqafuar terrorizmin” dhe përmendi demonstratat e mbështetësve të militantëve kurdë në rrugët e Stokholmit. “Demonstrata të tilla nuk zhvillohen në Finlandë”, tha ai. “Për këtë arsye ne u detyruam ta konsiderojmë rastin e Finlandës veçmas nga ai i Suedisë”.
Zoti Niinisto përshëndeti gatishmërinë e Turqisë për të përparuar me aplikimin e vendit të tij, por shprehu gjithashtu solidaritet me fqinjin e saj. “Mendoj se anëtarësimi i Finlandës në NATO nuk është i plotë pa Suedinë”, tha ai.
Duke iu referuar një takimi të NATO-s të planifikuar për në korrik në kryeqytetin e Lituanisë, zoti Niinisto shtoi se do të donte të shihte që në Vilnius, të bëhej bashkë një aleancë prej 32 vendesh anëtare, duke nënkuptuar edhe Suedinë brenda saj./VOA